Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka rikujtuar përmes një njoftimi publik se të gjithë vizitorët e huaj në Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitur të paguajnë vetë shpenzimet e tyre gjatë qëndrimit në vend.

Në deklaratën e publikuar në rrjete sociale, ambasada thekson se përdorimi i përfitimeve të financuara nga taksapaguesit amerikanë nga personat jo-emigrantë mund të sjellë pasoja serioze. Sipas njoftimit, abuzimi me këto përfitime mund të çojë në revokimin e vizave dhe në pamundësi për të marrë viza në të ardhmen.


Ambasada paralajmëron se individët që udhëtojnë drejt SHBA-së duhet të sigurohen që të kenë burime të mjaftueshme financiare për të mbuluar të gjitha shpenzimet e tyre, pa u varur nga ndihma publike amerikane.

Ky mesazh vjen në kuadër të udhëzimeve të përgjithshme të Departamentit të Shtetit, i cili thekson rregullisht se statusi i vizës është i lidhur me respektimin e ligjeve të imigracionit dhe kushteve të qëndrimit në vend.

Autoritetet amerikane theksojnë se shkelja e këtyre rregullave mund të ketë pasoja afatgjata, përfshirë kufizime për udhëtime, studime apo punësim në Shtetet e Bashkuara.

Ky njoftim shërben si kujtesë për të gjithë udhëtarët që planifikojnë vizita në SHBA, që të respektojnë rregullat dhe të sigurojnë pavarësi financiare gjatë qëndrimit të tyre. /Telegrafi/