LAJMI I FUNDIT:

SHBA largon nga bursa tri kompani kineze të telekomunikacionit, kishin lidhje me Ushtrinë e Kinës

SHBA largon nga bursa tri kompani kineze të telekomunikacionit, kishin lidhje me Ushtrinë e Kinës

Bursa e New Yorkut (NYSE) ka thënë se do të heqë nga lista tre kompani kineze të telekomunikacionit për shkak të lidhjeve të tyre të pretenduara me Ushtrinë e Kinës.

China Telecom, China Mobile dhe China Unicom Hong Kong do të pezullohen nga bursa në fillim të janarit 2021, përcjell Telegrafi.

NYSE tha se kishte vendosur që kompanitë “nuk ishin më të përshtatshme për listim” dhe “po merrte masa për të respektuar një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga presidneti Donald Trump në muajin nëntor 2020”.

Urdhri ndalon transaksionet në letra me vlerë “të dizajnuara për të siguruar ekspozim të investimeve ndaj letrave me vlerë të tilla, të çdo kompanie ushtarake komuniste kineze” nga çdo person në SHBA.

Disa firma të tjera kineze janë hequr tashmë nga indekset amerikane pas urdhrit ekzekutiv.

Urdhri konsiderohet të jetë një përpjekje e re nga administrata e Trumpit për të bërë presion mbi Kinën për ato që ajo i konsideron si praktika të padrejta tregtare të Pekinit.

Tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë përshkallëzuar gjatë vitit të kaluar për një gamë të gjerë çështjesh duke përfshirë ekonominë, gjeopolitikën, trajtimin e Kinës për pandeminë COVID-19 dhe të drejtat e njeriut.

Në muajin prill 2020, administrata e Trumpit rekomandoi që rregullatorët amerikanë të bllokojnë China Telecom që të veprojë në vend, duke paralajmëruar që kompania e mbështetur nga Kina po rrezikonte sigurinë kombëtare. /Telegrafi/