LAJMI I FUNDIT:

SHBA është tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB

SHBA është tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB

Bujar Nishani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB.


“Ky organizëm hipokrit që i shërben vetëm vetes, i kthen të drejtat e njeriut në një tallje”, deklaroi e dërguara e Uashingtonit në Kombet e Bashkuara, Nicky Haley.

SHBA kanë denoncuar në vijimësi burokracinë shterpë, keqpërdorimin e fondeve, spekulimet politike nga lobime korruptive, hipokrizinë dhe standardin e dyfishtë të këtyre mekanizmave të OKB-së, të themeluar në fakt për të ruajtur të pacenuara parimet dhe barazinë e çdo standardi të përcaktuar si një e drejtë e çdo qënie humane pavarësisht gjinisë, nacionalitetit, racës, ngjyrës, besimit e veçorive të tjera që mund të ketë një human.

Për fat të keq, të gjithë pa përjashtim jemi dëshmitar që këto parime e standarde gjatë rrugëtimit të shoqërisë janë cenuar, tjetërsuar e dhunuar, në shumë raste, në shumë vende, në shumë fusha, në forma të ndryshme. Por, bashkudhëtare me këto dhunime ka qënë edhe hipokrizia e standardet e shumëfishta të këtyre mekanizmave, të ngritura, të paguara dhe pranuara për drejtësi, por të keqpërdorura.

Në çdo shtet të Globit do të gjenden raste dhe shembuj të shumtë dhe të ndryshëm të keqpërdorimit të këtij mekanizmi botëror, por ne shqiptarëve na duhet ti referohemi eksperiencave dhe shembujve tanë. Për fat të keq ato janë të shumtë por do të rendisja 2-3 prej tyre.

Imazhi dhe besimi i këtij mekanizmi u trondit fort që në ditët e para të daljes së shqiptarëve në dritën e lirisë, kur për herë të parë pas një kalvari terrori diktatorial gjysmë shekullor mundën të krijoheshin edhe në Shqipëri mekanizmat e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Paradoksalisht me mundësimin e krijimit të tyre, kontrolli, drejtimi, përfaqësimi ju dha po të njëjtëve persona që për 50 vite kishin qenë zemra, truri, zëri, shpata e kazma e mekanizmit diktatorial.

Qindra miliona financime u sponsorizuan po për këta njerëz, po për të mbajtur gjallë ideologjitë e tyre, trashëgiminë e dhunës dhe mohimit të lirisë dhe aspak vendosjen, edukimin dhe mbrojtjen e një kulture të re të drejtave dhe lirive themelore.

Ky model tashmë është i kalcifikuar mbi sistemin shoqëror në Shqipëri !

Problemi më madhor dhe shembulli “par excellence” i këtij kontraversi të madh midis parimeve, detyrimeve, përgjegjësive të këtij Këshilli dhe Shqipërisë është çështja e pronave private të sekuestruara, konfiskuara dhe shfrytëzuara për gjysëm shekulli nga rregjimi diktatorial komunist.

Me rikthimin në pushtet të ish-stalinistëve shqiptarë më 2013, u hartua dhe implementua një platformë e re e ndalimit të rikthimit dhe kompesimit të pronave private tek pronari legjitim. Asnjë reagim nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB për këtë politikë marksiste të rikthyer në Shqipëri, ndaj pronës !

Qeveria e ish-stalinistëve shqiptarë i kërkon zyrtarisht Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg të ndalojë dhe bllokojë shqyrtimin e çështjeve të shtetasve shqiptarë mbi të drejtat e pronës.

Mesa duket lobimet e forta korruptive arritën të ndikojnë edhe mbi këtë mekanizëm të shpresës së shqiptarëve për të drejtat fondamentale të tyre.

Gjykata Evropiane ka bllokuar prej dy vitesh të gjitha rastet, madje dhe të shqyrtuara, nga kjo gjykatë ! Kjo i inkurajoj edhe më shumë ish-stalinistët shqiptar në pushtet që hodhën hapin tjetër të madh duke hartuar e miratuar një ligj të ri mbi pronën private i cili e rikonfiskon përsëri pronën e individit.

Tashmë, jo me dhunën e Sigurimit të Shtetit, siç bënë 70 vite më parë por përmes gjygjtarëve të korruptuar dhe shantazhuar të Gjykatës Kushtetuese të cilët arritën deri të fallcifikojnë tekstin e ligjit në komunikimin dhe konsultën me Komisionin e Venecias! Tashmë jo në interes të “Bllokut Komunist”, por në dhurata ndaj oligarkëve që blejnë votat për pushtetin shërbëtor.

Asnjë indikacion, asnjë denoncim, asnjë reagim, asnjë masë e ndërmarrë nga Këshilli i famshëm i të Drejtave të Njeriut të OKB për këtë rast shqiptar, që në fakt është sa unikal aq dhe sinjifikativ në kontekstin e lirive dhe drejtave themelore në aspektin global.

Shqiptarët e kuptojnë fare mirë hipokrizinë e shfaqjeve dhe retorikës boshe por të sjelljes “double standard” të këtij mekanizmi në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ndaj serioziteti dhe angazhimi për rikthimin e vlerave nga Administrata Trump edhe në këtë rast ka lindur një shpresë tek të gjithë ata njerëz anekënd botës të cilët besojnë tek parimet, vlerat dhe angazhimet reale dhe të vërteta për liritë dhe të drejtave themelore të njeriut.

Tek ata që nuk pranojnë të mashtrohen nga hipokrizia e buzëqeshjeve fallco dhe nuk pajtohen me burokracitë korruptive të “double standard”.