LAJMI I FUNDIT:

Shala: Qeveria Kurti po mburret me projektet e qeverive të kaluara

Shala: Qeveria Kurti po mburret me projektet e qeverive të kaluara

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka thënë se Qeveria Kurti po mburret me projektet e qeverive të kaluara.

Shala duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka kërkuar që të formohet Komisioni parlamentar për hetimin e krizës energjetike në vend.


“Kohëve të fundit ju po mburreni me projektet e reja, për të cilat nuk keni asnjë meritë. Shembull tipik është projekti në Shalë të Bajgorës, ku pamë një pjesë të kabinetit qeveritar që na dhuruan këtë projekt. Ne si opozitë kemi meritat qendrore, të cilët ju e shatë atë projekt. Megjithatë ne e përgëzojmë projektin, i përgëzojmë institucionet e vendit, e veçanërisht i duartrokasim investitorët gjerman. Vetëm atë ditë nuk patët shancë të shani e të fyeni qeveritë e kaluara, sepse heshtet para një investimi më të madh kapital dhe praktikisht u treguat shumë skandinav duke mos e pranuar realitetin”, tha Shala.

Sipas tij, me formimin e këtij komisioni do të verifikohen të gjitha shkeljet e mundshme.

“Ju ftoj që ta formoni Komisionin Hetimor parlamentar dhe të gjitha këto që thash t’i verifikojmë bashkërisht. Nuk mund t’i ikim të vërtetës, mund të vonohemi”, ka përfunduar ai.

Ditë më parë, kishte dështuar themelimi i këtij Komisioni Hetimor. Themelimi i Komisionit ishte propozuar nga PDK, derisa do të kishte mandat gjashtëmujor dhe do të përbëhet nga 11 anëtarë. /Telegrafi/