LAJMI I FUNDIT:

Shala: Dokumentari ‘VIRUSSIA’ ka zbërthyer në detaje metodat ruse të luftës hibride për të shkatërruar demokracitë perëndimore

Shala: Dokumentari ‘VIRUSSIA’ ka zbërthyer në detaje metodat ruse të luftës hibride për të shkatërruar demokracitë perëndimore

Përhapja e propagandës dhe dezinformatave për të penguar demokracitë perëndimore ka bërë që dokumentari “VIRUSSIA” ta zbërthejë në detaje luftën hibride që bëhet nga ana e Federatës Ruse.

Autori dhe skenaristi i këtij cikli të dokumentarëve, Mentor Shala ka folur për Telegrafin, duke potencuar se nevoja për të treguar ndikimin rus, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ka lindur nevoja për ta bërë këtë projekt.


Në këtë intervistë, ai thotë se rusët kanë bërë dëme të mëdha, duke tentuar të pengojnë integrimet euroatlantike të vendeve të rajonit.

Shala shton se rusët vazhdimisht tentojnë ta mbajnë ndikimin në Ballkan, ku sipas tij, viteve të fundit ka pasur një intensifikim të sulmeve të tyre në të gjitha segmentet.

Ai tregon se Rusia e përdorë Kishën Ortodokse për arritjen e qëllimeve të saj, me anë të sigurisë, propagandës, diplomacisë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Si rrallë herë, Shala tregon se dokumentari ka arritur që të përfshijë brenda shqiptarë, serbë, boshnjakë, malazezë e maqedonas. Politikanë, studiues, ish-pjesëtarë të inteligjencës e gazetarë që flasin për pothuajse njëzëri për pasojat që ka shkaktuar ndër vite Rusia në rajon dhe më gjerë.

Projekti është realizuar Radio Televizioni i Kosovës me partneritet të medieve të tjera ballkanike si dhe instituteve të veçanta që merren me studimin e ndikimit rus.

Mentor Shala, autor dhe skenarist i dokumentarit ‘VIRUSSIA’

Si lindi ideja për ta bërë dokumentarin “VIRUSSIA”?

Duke qenë gazetarë dhe duke përcjell zhvillimet në vend që prej pasluftës e këndej, kemi qenë dëshmitarë të një përpjekje të vazhdueshme të Rusisë që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë dhe në Ballkan.

Ju kujtohet që Rusët kanë qenë shumë aktiv në kuptimin destruktiv edhe gjatë luftës në Kosovë dhe sigurisht ju kujtohet kur edhe pa marrëveshje me NATO-n e “okupuan” Aeroportin e Prishtinës një ditë para se NATO të fuste trupat në Kosovë në qershor të 1999. Gjithashtu kanë qenë shumë aktiv, prapë në kuptimin “destruktiv” edhe gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës dhe nuk janë ndalur asnjëherë përpjekjet e tyre për të penguar në çdo mënyrë avancimin dhe zhvillimin e Kosovës, por edhe të rajonit. Por edhe pas shpalljes së pavarësisë, vazhdimisht kanë punuar në minimin e demokracisë në Kosovë duke mos lejuar serbët lokal të integrohen në shtetin e Kosovës, në të njëjtën kohë duke përdorur serbët e Kosovës për të arritur qëllimet e tyre.

Jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë rajonin, rusët kanë bërë dëme të mëdha duke tentuar të pengojnë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe duke i parë këto lëvizje të vazhdueshme ruse nëpër rajon dëmet që i shkaktonin ato demokracive tona, e pamë të arsyeshme që ta realizojmë këtë seri dokumentarësh, e cila u realizua me një përkushtim maksimal të tërë ekipit dhe besoj që kemi bërë një punë shumë të madhe pasi që i kemi zbërthyer në detaje metodat e luftës hibride të cilët Rusët i përdorin për të shkatërruar demokracitë perëndimore.

Me luftë hibride nënkuptojmë metodat të kombinuara që një vend i përdorë kundër një vendi tjetër për ta defunksionalizuar.

Lufta hibride përdor luftën politike dhe kombinon luftën konvencionale, luftën e parregullt dhe luftën në internet me metoda të tjera ndikuese, siç janë lajmet e rreme, siguria, diplomacia, ligji, religjioni dhe ndërhyrja në sistemet e huaja elektorale.

Përdorimi i komunikimit masiv për propagandë është njëri nga segmentet kryesorë të luftës hibride. Rritja dhe fuqizimi i mediave sociale ofron mjete të fuqishme propagandistike dhe rekrutimi. Përdorimi i faqeve të internetit të lajmeve të rreme përmes profileve të rreme për të përhapur histori të rreme është një element esencial i luftës hibride dhe ndër më të rrezikshmit.

Autori Mentor Shala dhe producenti Mumin Jashari

A është shtuar vërtet ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, sa për ta bërë një cikël të tillë prej katër pjesësh të dokumentarit?

Rusët vazhdimisht kanë tentuar të mbajnë ndikimin në Ballkan dhe është e vërtetë që viteve të fundit ka pasur një intensifikim të sulmeve të tyre në të gjitha segmentet. Arsyeja pse janë katër pjesë të dokumentarit ka të bëjë me fushat në të cilët rusët veprojnë. Ne e kemi parë që janë shumë aktivë në fushën e sigurisë përmes infiltrimit të spiunëve të tyre kryesisht në institucionet ndërkombëtare në vend (UNMIK).

Kemi paraqitur raste konkrete se si spiunë rus të veshur nën petkun e zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë kryer veprime spiunazhi që kanë shkaktuar shumë dëme në Kosovë por edhe në Mal të Zi e Maqedoni. Pastaj, kemi paraqitur raste konkrete se si e zhvillojnë propagandën kundër një vendi të caktuar për të krijuar perceptimin e një vendi të dështuar dhe për të rritur pakënaqësinë e qytetarëve me vendin e tyre, gjë që edhe ka ndodhur në vendin tonë. Dhe këtë e kemi vërejtur në Kosovë për vite me radhë.

Njëjtë kanë vepruar edhe në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë. Ju e shihni sa problem e kanë këto vende që të sigurojnë stabilitet të brendshëm dhe rol kyç në këtë drejtim ka pasur propaganda ruse kryesisht përmes medieve online. Pastaj, roli aktiv i tyre në diplomaci. Mund të shihni ambasadorët rusë në vendet e rajonit se çfarë roli luajnë në minimin e demokracive të Ballkanit Perëndimorë.

Po ashtu, kemi paraqitur raste konkrete të veprimtarisë së tyre në dëm të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Dhe në fund e kemi paraqitur se si Rusia e përdorë Kishën Ortodokse për arritjen e qëllimeve të saj. Pra janë këto katër segmente: siguria, propaganda, diplomacia dhe kisha ortodokse, që i përdor Rusia e të cilat ndërveprojnë njëra me tjetrën për të shkatërruar sistemet e funksionimit të shteteve, në këtë rast, vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Prandaj, janë realizuar katër pjesë të dokumentarit – zbërthimi në detaje i metodave të luftës hibride ruse!

Mentor Shala gjatë intervistave me autorë të ndryshëm për dokumentarin ‘VIRUSSIA’ | Foto: Mumin Jashari

A ka qenë e vështirë të bindën serbët që të flasin për ndikimin rus në këtë projekt, kur merret parasysh, kur vërtet ka një simpati në mes të ortodoksëve?

Sigurisht që nuk ka qenë shumë e lehtë. Jo vetëm për faktin e simpatisë mes ortodoksëve, por edhe për shkaqe të sigurisë së tyre. Ata serbë që pranuan të flasin për dokumentarin ishin të vetëdijshëm edhe për rrezikun që mund ta kenë pas shfaqjes së dokumentarit.

Në Serbi ka një kontroll të rreptë të mendimit të lirë dhe jo çdokush guxon të tregojë realitetin, pasi që mund t’i rrezikohet jeta atyre por edhe familjeve të tyre nga organet e sigurisë së Serbisë, por edhe të Rusisë të cilat veprojnë brenda institucioneve në Serbi. Por, ata janë njohës të mirë të çështjeve të cilat i kemi trajtuar në dokumentar dhe janë personalitete të njohura në Serbi. Në fakt janë të guximshëm dhe janë lodhur nga kontrolla e rreptë e pushtetit dhe përcjellja e vazhdueshme nga shërbimet ruse të sigurisë.

Mentor Shala gjatë intervistave me autorë të ndryshëm për dokumentarin ‘VIRUSSIA’ | Foto: Mumin Jashari

Sa janë koshientë vendet e Bashkimit Evropian lidhur me ndikimin rus? A e keni parë nga një këndvështrim më ndryshe shqetësimin e tyre gjatë realizimit të dokumentarit?

Po, BE është shumë e vetëdijshme për ndikimin rus! Ata janë shumë të shqetësuar! Rusia ka depërtuar pothuajse në shumicën e vendeve të BE-së në forma të ndryshme. Ju ka shkaktuar telashe të mëdha përmes rrymave djathtiste ekstreme dhe atyre majtiste ekstreme.

Bashkimi Evropian në koordinim me NATO-në e kanë prioritetin kryesor në hartimin e strategjisë për t’iu kundërvu luftës hibride ruse. Ata kanë filluar të krijojnë mekanizma se si t’i përgjigjen këtyre metodave të kombinuara ruse. Por problemi kryesor në BE është se nuk kanë koherencë në veprimet e tyre, për shkak se në institucionet e BE-së ekzistojnë edhe parti ekstremiste të cilat i mbështesin politikat e Vlladimir Putinit. E kjo pastaj po iu shkakton kokëçarje vendeve të BE-së në ballafaqimin me ‘ofanzivën’ ruse për të destabilizuar demokracitë perëndimore.

Ndjeshmëria e Kosovës ndaj organeve të sigurisë të Serbisë është shumë negative. Pse e keni përfshirë njërin nga eksponentët, siç është Darko Trifunoviq, e shërbimeve sekrete serbe në këtë dokumentar?

Për ne ishte me rëndësi që të kemi personalitete të cilët e njohin shumë nga afër situatën. Dhe po, është e vërtetë që Trifunoviq ishte pjesë e shërbimeve sekrete serbe. Por, a ma thoni ju, kush më mirë se ai në këtë rast është i informuar për infiltrimin rus pothuajse në të gjitha institucionet e Serbisë. Dhe ka disa vjet që Trifunoviq flet për rrezikun e ndikimit rus në Serbi dhe vendet e Ballkanit. Gjithashtu, ai është shumë kritik ndaj pushtetit në Serbi pikërisht për këtë arsye. Dhe duke qenë se ka qenë pjesë e strukturave të sigurisë në Serbi vetëm sa e rrit kredibilitetin e qëndrimeve të cilat ai i thotë për ndikimin rus, sepse ka qenë në zemër të informacionit sekret në Serbi.

Darko Trifunoviq gjatë intervistës për dokumentarin ‘VIRUSSIA’ | Foto: Mumin Jashari

Pas transmetimit të dy pjesëve të para, cilat janë reagimet e opinionit publik, veçmas në Kosovë lidhur me dokumentarin?

Me të vërtetë dokumentari është punuar me përkushtim të madh. Dy vjet kemi punuar për realizimin e tij. Reagimet janë fantastike në gjithë rajonin e Ballkanit por jo vetëm! Më kanë shkruar miq edhe nga vendet e BE-së por edhe më gjerë duke na përgëzuar për dokumentarin. Sigurisht që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi rus! E keni parë reagimin e ambasadorit rus në Serbi me sa nervozë përgjigjet kur pyetet për dokumentarin! Efekti i dokumentarit ka qenë i menjëhershëm dhe do të rritet dita ditës, për këtë jam shumë i sigurt.

A mund te pret lexuesi dhe shikuesi kosovar një seri tjetër të këtij lloji dokumentari?

Për momentin jemi koncentruar në plasimin dhe shpërndarjen sa më të madhe të kësaj serie dokumentarësh “VIRUSSIA”. Por sigurisht që jemi duke diskutuar edhe disa ide mjaft me interes për rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë. Besoj që së shpejti do t’i konkretizojmë edhe disa ide që i kemi.

Shumë shpejtë do transmetohet pjesa e tretë dhe ajo e katërta e dokumentarit. Nëse mund të na shpalosni në pika të shkurta përmbajtjen e këtyre pjesëve?

Pjesa e tretë e “VIRUSSIA” zbërthen metodat të cilat Rusia i përdorë përmes diplomacisë për të arritur qëllimet e saj destruktive në rajonin e Ballkanit. Me theks të veçantë jemi fokusuar në pengesat që Rusia është duke ia bërë dialogut Kosovë-Serbi si njëra nga çështjet kryqe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimorë. Sigurisht që i kemi trajtuar edhe aktivitetet ‘diplomatike’ ruse edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri, etj. Publikut i kemi ofruar raste konkrete ku “diplomatët” rus veprojnë për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimorë.

Ndërsa në pjesën e katërt, e trajtojmë rolin e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj ruse në këtë luftën hibride të cilën Rusia është duke e bërë që një kohë të gjatë në Ballkanin Perëndimorë por edhe në vendet e BE-së dhe më gjerë. Në këtë pjesë publiku ka mundësi të kuptojë se çfarë roli të madh ka kisha në hartimin e strategjive dhe politikave ruse si dhe shtrirjen e ndikimit tek besimtarët ortodoks në Ballkan e sidomos tek serbët.

Jeni munduar të tregojmë se çfarë roli dhe detyre ka pasur patriarku Amfilohije nga Rusia për të mbajtur të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimorë. Në kohën kur kemi qenë duke e realizuar dokumentarin, Amfilohije ka qenë ende gjallë, por gjatë kohës së pandemisë ai vdiq dhe shumë keq që nuk ka mundur me pa dokumentarin. Shumë kisha pas dëshirë me pa edhe ai dokumentarin, me pa sa dëmin ia ka shkaktuar vendeve të Ballkanit Perëndimorë, të cilat do t’iu duhen edhe shumë vite që ta riparojnë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Takimi i Kurtit me ndihmësekretarin amerikan, O’Brien, deklarata pas takimit dhe çështja e Asociacionit

Takimi i Kurtit me ndihmësekretarin amerikan, O’Brien, deklarata pas takimit dhe çështja e Asociacionit

Lajme
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Politikë
Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Politikë
Kalo në kategori