LAJMI I FUNDIT:

Shahini: Shkollat do të hapen vetëm për maturantët

Shahini: Shkollat do të hapen vetëm për maturantët

Shkollat do të hapen tre javë vetëm për maturantët, ndërsa të tjerët do të vijojnë procesin mësimor online nga shtëpia.

Vendimi u bë publik nga ministrja shqiptare e Arsimit, Besa Shahini.


“Shkollat për maturantët do të hapen nga data 18 maj deri 5 qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11 deri në fund të majit. Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla. Për shkak të tërmetit një pjesë janë dëmtuar dhe një pjesë kanë kaluar me dy turne. Prandaj vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët”, tha Shahini.

Minstrja e Arsimit njoftoi se viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020, provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes datës 8-18 qershor 2020 dhe provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen.

“Kjo na jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për maturantët që duan të studiojnë jashtë vendit. Provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen. Klasa e 9 nuk e mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë. Klasa e 1-11 deri në fund të majit dhe mësimi online për to, do të mbyllet 2 javë më herët”, vijoi ajo.

Shahini theksoi në këtë kohë pandemie procesi mësimor për maturantët do të zhvillohet me distancë 1.5 metra mes tyre dhe numri i nxënësve në një klasë jo më shumë së 15 vetë. /TCH/