LAJMI I FUNDIT:

Kursime dhe reduktime të rrymës – deputetët votojnë zgjatjen e masës emergjente për energjinë

Kursime dhe reduktime të rrymës – deputetët votojnë zgjatjen e masës emergjente për energjinë

Me 61 vota për, asnjë kundër e abstenim deputetët e Kuvendi të Kosovës kanë votuar zgjatjen e masave emergjente për energjinë elektrike.

Në seancën e javës së kaluar, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila pati thënë se qëllimi i këtij vendimi është që këto masa të zgjaten edhe për 30 ditë të tjera.


“Propozojmë vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji. Qëllimi i këtij vendimi është që këto masa të zgjaten edhe për 30 ditë të tjera. Duke ditur rëndësinë e këtij vendimi kërkojmë që ky vendim të futet në rend dite sot dhe të votohet”, është shprehur Kusari-Lila.

Më 1 gusht, deputetët patën votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Sipas arsyetimit, ky vendim është marr nga gjendja aktuale botërore energjetike.

“Qeveria e Kosovës merr vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, e shtyrë nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit”, thuhej në njoftimin e qeverisë.

Këto masa ishin aktive për 60 ditë.

“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, vijonte njoftimi.

Ky vendim përfshinë:
– Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit;
– Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave;
– Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe
– Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike. /Telegrafi/