Serbia rrezikon sigurinë e BE-së duke u dhënë rusëve shtetësi


Bashkimi Evropian është i shqetësuar me fenomenin e dhënies së shtetësisë së Serbisë për shtetasit e Rusisë, të cilët më pastaj mund të udhëtojnë në BE pa viza.
Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, kjo paraqet edhe kërcënim për sigurinë e vendeve të BE-së, pasi në mesin e shtetasve rusë që marrin shtetësinë e Serbisë mund të ketë edhe persona të rrezikshëm.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Serbisë që të ndërpresë këtë praktikë dhe, po ashtu, të përshtatë edhe politikën e saj të vizave me atë të BE-së.
Të enjten edhe Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për këtë, duke rikujtuar se vërejtjet Serbisë i ishin dhënë edhe në raportet e progresit. Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për zgjerim, Guillaume Mercier, raporton nga Brukseli për Kohën, Augustin Palokaj.
"Edhe në raportin e vitit të shkuar u tha se, në veçanti, përfitimi i mundësisë për udhëtim pa viza në BE nga shtetasit rusë, përmes dhënies së shtetësisë serbe, paraqet kërcënime të mundshme për sigurinë e Bashkimit Evropian", ka thënë ky zëdhënës.
Ka pasur informacione në media se në mesin e rusëve që pajisen me procedura të shpejta dhe të dyshimta me shtetësi të Serbisë mund të ketë edhe persona të rrezikshëm dhe të tillë që janë në listën e sanksioneve të BE-së.
Zyrtarët evropianë konfirmojnë se, lidhur me këtë problem, janë duke zhvilluar një dialog me Serbinë dhe shpresojnë që të arrihet një zgjidhje sa më e shpejtë. Serbia vazhdon të jetë, po ashtu, në shënjestër të kritikave për refuzimin që të mbështesë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
BE-ja ka kritikuar Serbinë edhe për procesin shumë të ngadalshëm të vendosjes së vizave për shtetasit e vendeve të cilat duhet të kenë viza për hyrje në BE. Para disa viteve, Serbia ua kishte hequr vizat edhe disa vendeve si Irani, Burundi dhe të tjera, për t’i shpërblyer për qëndrimet e tyre kundër pavarësisë së Kosovës.
Thirrja për përshtatjen e politikës së vizave me atë të BE-së u është bërë të gjitha shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është që këto shtete të mos shërbejnë si transit për imigrim ilegal në vendet e Bashkimit Evropian. Ato vende që nuk do ta përshtatin politikën e tyre të vizave me atë të BE-së do të rrezikojnë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e vet.





































