LAJMI I FUNDIT:

Sekuestrohen 3 mijë kg mish me prejardhje nga Brazili, dyshohet se u fut ilegalisht nga Maqedonia e Veriut në Kosovë

Sekuestrohen 3 mijë kg mish me prejardhje nga Brazili, dyshohet se u fut ilegalisht nga Maqedonia e Veriut në Kosovë

Tre mijë kilogramë mish i kuq me prejardhje nga Brazili është sekuestruar sot nga Policia e Kosovës.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie ku janë dhënë edhe detajet.


Sipas të dhënave më 19.02.2022, rreth orës 12:30, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen një automjet kombi (furgon) pa targa, i drejtuar nga një mashkull kosovar i cili përmes rrugëve ilegale kishte hy në vendin tonë nga territori i Maqedonisë së Veriut.

“Autoritetet policore kufitare edhe përkundër tentativës së drejtuesit të automjetit për t'iu shmangur ndalimit policor, kanë arritur ta ndalojnë në fshatin Kabash të Vitisë. Gjatë kontrollit në automjetit është gjetur mall i kontrabanduar, 108 pako me gjithsej 3.000 (tre mijë) kilogram mish i kuq me prejardhje nga Brazili”, thuhet në komunikatë.

Rasti është trajtuar nga patrulla e Policisë Kufitare dhe Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare Lindje, në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganave të Kosovës. /Telegrafi/