Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë rendit sukseset e Trumpit, përmend ndaljen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka bërë një përmbledhje të arritjeve kryesore të Donald Trump gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit të tij të dytë si president i Shteteve të Bashkuara.
Në këtë përmbledhje, ajo theksoi sukseset diplomatike që administrata Trump ka arritur në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e konflikteve të shumta në botë.
Një nga arritjet më të rëndësishme, sipas Leavitt, ka qenë ndërprerja e një konflikti të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, dy vendeve të Ballkanit Perëndimor që prej vitesh kanë pasur tensione.
Leavitt gjithashtu theksoi se ndërhyrja e administratës ka ndalur konflikte të tjera ndërkombëtare, duke përmendur ndërprerjen e luftërave mes Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, si dhe mes Egjiptit dhe Etiopisë.
Për ndaljen e një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, disa herë ishte deklaruar edhe vetë presidenti amerikan.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar javë më parë se lideri amerikan ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo theksoi se Trump ka qenë "shumë i qartë" në deklaratat e tij, duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe duke theksuar rëndësinë e udhëheqjes politike për të ruajtur paqen në rajon. /Telegrafi/

















































