LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: Së pari bashkimi i opozitës, pastaj konsensus për dialogun

Sejdiu: Së pari bashkimi i opozitës, pastaj konsensus për dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka deklaruar se ata nuk besojnë që zgjidhja për situatën aktuale politike nëvend është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar.

Sejdiu, përmes një postim në Facebook, ka thënë se Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale.


“Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Sejdiut:

“JO VAJTIMIT OPOZITAR, PO KONSENSUSIT PËR DIALOG

Ka kohë që Partia Socialdemokrate e trajton si çështje të rëndësishme zgjidhjen e nyjes në mes Kosovës dhe Serbisë. E në këtë zgjidhje, konsensusi i subjekteve politike fuqizon pozicionin e Republikës së Kosovës.

Qeveria dhe aq më pak Presidenti, nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet, të negociojnë në emër të Kosovës dhe për Kosovën. Vetëm duke qenë Kuvendi i Kosovës bartës i këtij procesi, kemi legjitimitet dhe kredibilitet për ta përfaqësuar Republikën.

Por, derisa në njërën anë e kemi një pushtet të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar, që nuk po e drejton mirë Kosovën dhe në veçanti procesin e dialogut; në anën tjetër e kemi një pjesë të opozitës që krejt çka bën tash e disa muaj është vajtimi dhe ankesat.

Para se disa nga partitë opozitare të flasin për strategjinë politike të PSD-së, ato duhet të përgjigjen për rezultatin e strategjisë së tyre disamujore për rrëzimin e qeverisë, apo përpjekjen për bllokimin e pushtetit? A kanë patur ndonjë sukses me këtë strategji?

E nisën me tryeza të partive politike, pastaj hoqën dorë nga to. Vazhduan me “bojkot” të Kuvendit, pastaj u kthyen në seanca pa asnjë rezultat. E nisën me kërkesën për mocion mosbesimi (edhe pse asnjëherë nuk i dhanë nënshkrimet), përfunduan me një rezolutë që kërkon dorëheqjen e qeverisë! Në fund u kthyen aty ku e nisën: po kërkojnë sërish tryezë të partive politike!

Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale. Rrjedhimisht betejën e ka me pushtetin. Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend.

Ne nuk besojmë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar”, ka shkruar Sejdiu.

Partia Socialdemokrate ka dërguar në Kuvendin e Kosovës një projektrezolutë, në të cilën synohet që delegacioni shtetëror, të bashkë-drejtohet prej dy përfaqësuesve që vijnë nga radhët e opozitës, dhe të koalicionit qeveritar.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk po e shohin prioritet, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët më me rëndësi se rezoluta, është përmbajtjen e dialogut.

VV dhe LDK i përgjigjen PSD-së rreth rezolutës së re për dialogun
Lexo po ashtu VV dhe LDK i përgjigjen PSD-së rreth rezolutës së re për dialogun

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vetëm zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog.  /Telegrafi/