LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu propozon reformën pensionale që lidhet me transformimin e arsimit

Sejdiu propozon reformën pensionale që lidhet me transformimin e arsimit

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, propozon reformë pensionale që sipas tij do t’i realizonte kërkesat e sektorit të arsimit.

Sejdiu me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se një reformë e tillë do t’i sigurojë fondet për realizimin e kërkesave të mësimdhënësve.


“Duke marrë për shkas çështjen e grevës së sektorit të arsimit, po dua të propozoj një politikë e cila mund të sigurojë fondet për të bërë të mundur edhe realizimin e kërkesave të mësimdhënësve; por edhe pritjet e prindërve si unë për t’i bërë fëmijët tanë të aftë e të shkathët për një botë krejt tjetër, që i pret ata në dekadat që po vijnë”, ka shkruar Sejdiu.

Postimi i plotë i Sejdiut

REFORMË PENSIONALE QË MUNDËSON TRANSFORMIM TË ARSIMIT

Duke marrë për shkas çështjen e grevës së sektorit të arsimit, po dua të propozoj një politikë e cila mund të sigurojë fondet për të bërë të mundur edhe realizimin e kërkesave të mësimdhënësve; por edhe pritjet e prindërve si unë për t’i bërë fëmijët tanë të aftë e të shkathët për një botë krejt tjetër, që i pret ata në dekadat që po vijnë.

Këto ditë po shohim kërkesën legjitime të sektorit të arsimit për ngritje koeficienti në ligjin e ri për paga. Kjo kërkesë për mua është në frymën: pagë të barabartë për punë të barabartë!

Në diskutimin në Kuvend për ligjin për ndarjet buxhetore, unë në emër të Grupit Parlamentar të PSD kam kushtëzuar qeverinë me votën tonë duke kërkuar sjelljen e ligjit për paga, me theks të veçantë në përmbushjen e kërkesave të sektorit të shëndetësisë për rritje koeficientësh, gjithsesi me parimin: pagë të barabartë për punë të barabartë! Por, përveç këtij kushtëzimi, ne kushtëzuam votën për ligjin për ndarjet buxhetore me ndërtimin e një komisioni të veçantë që do të hartojë kodin pensional të Kosovës.

Shumë prej jush edhe mund të thuani çfarë lidhje ka ky kod pensional me arsimin në Kosovë, por ja që paradoksalisht këtu janë financat e duhura për transformin radikal të arsimit.

Më lejoni të sqarojë pse kemi insistuar, dhe pse ende insistojmë që të themelohet ky komision për kodin e ri pensional, dhe si duke reformuar sistemin pensional kursejmë plotë 100 milionë euro, që ne mund ti rialokojmë në arsim.

Ligji për ndarje buxhetore i Republikës është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Janë plot 465 milionë euro në te për skema të tilla. Thënë thjesht, dikund 7% e qytetarëve gëzon 22% të shpenzimeve buxhetore. Për më shumë këto mjete nuk janë të alokuara as në mënyrë të drejtë, e as për ata që duhet t’i gëzojnë benefitet pensionale dhe invalidore.

Në këto skema pensionale ka persona që gëzojnë pensione në Kosovë e që nuk duhet fare të gëzojnë asnjë cent nga buxheti, por ja që tash e 18 vite janë disi në lista; por gjithashtu ka edhe të tillë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë nga këto skema ndonëse do duhej t’i gëzonin të drejtat pensionale. Thjesht qartë, në keto skema ka shumë profiterë e mashtrues. Ne, si PSD, mbetemi të bindur se mund të reduktohet kjo ngarkesë buxhetore.

Disa herë në Kuvend e kemi shprehur rrugën përpara për t’u siguruar që e kemi një sistem të mirëfilltë pensional, me ç’rast ta bëjmë një kod pensional, ku definohet edhe kontributi i secilit prej nesh, por edhe benefitet pensionale, që duhet gëzuar nga ata që meritojnë pensione, e në të njejtën kohë të pastrohen listat nga keqpërdoruesit e mundshëm. Duke bërë këtë reformë jemi të bindur që buxhetit të Kosovës mund t’ia shpëtojmë afër 100 milionë euro që nga viti 2020.

E tash, paramendojeni një qeverisje e cila këto mjete të kursyera i orienton në digjitalizimin e arsimit fillor e të mesëm në Kosovë. Pra, ku secili fëmijë në Kosovë prej klasës së parë e deri në vitin e fundit të shkollës së mesme, pajiset me një ‘tablet’ në të cilën ndodhet e gjithë përmbajtja mësimore. E, ai ‘tablet’ është i lidhur me një ‘smart board’ (tabelë të mençur), e cila komunikon me ‘tabletin’ e fëmiut, mësueses/it, dhe nëse krejt kjo është e lidhur me prindërit në telefonat e tyre të mençur!

Me 100 milionë euro kursime kjo bëhet, dhe bëhet pa problem, bile edhe teprojnë mjaftueshëm mjete për financimin e kërkesave për paga për sektorin e arsimit.

Ky lloj transformimi, do të krijonte kërkesë edhe për mësimdhënie e cila kërkon ri-trajnim të personelit në sektorin e arsimit, do t’i mundësonte secilit fëmijë pa marrë parasysh vendit dhe të hyrave të familjës që të ketë qasje në pajisje të teknologjisë informative, e pra edhe shkathtësi minimale në përdorimin e tyre.

E tash, paramendoni nëse edhe fusim si lëndë “kodimin” nga klasa e pestë!

Përfundimisht, fëmijët t’i bëjmë të gatshëm për shekullin që na pret, mësimdhënien ta bëjmë profesion i cili kërkon shkathtësi përtej ligjërimit e përsëritjes, ndërsa Kosovën ta bëjmë hapësirë ku fëmijët dhe rinia kanë arsim, rrjedhimisht edhe mundësi për të ardhme për të cilën nuk jemi të vonuar, e pra jetë të dinjitetshme për secilin.

Të gjitha këto nuk janë ëndrra, këto mund të bëhen me kursimet nga reforma e tërësishme e sistemit pensional. Një kod pensional tre – shtyllësh! Kontribut dhe benefit të definuar! Pastrim listash! Voila 100 milionë euro të kursyera! Ky është kushti i 5 – të i PSD për votën tonë ligjin për ndarje buxhetore!

Përndryshe, sot mediat raportuan që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës e ka përmbyllur vitin 2018 me mbi 85 milionë euro humbje. Edhe një arsye më shumë ti futemi reformës pensionale, e transformimit të arsimit. /Telegrafi/