LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: Kuvendi duhet ta ndalë marrëveshjen me “Contour Global”

Sejdiu: Kuvendi duhet ta ndalë marrëveshjen me “Contour Global”

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të ndalë marrëveshjen me “Contour Global”.

Kjo pasi që, sipas Sejdiut, ajo do të ishte një “burg energjetik dhe financiar për Kosovën”.


“Qeveria e Kosovës ka themeluar kompani të re publike (NKEC), e cila DETYROHET TË BLEJË tërë kapacitetin prodhues të TC të ri të “Contour Global” me çmim prej EUR 80 për Mwh. ‘ÇMIMI I SYNUAR’ (Power purchase Agreement, Recital F, fq.7) është dy herë më i lartë se çmimi që e faturon sot KEK!”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Dhe sipas tij, këtë energji elektrike kjo kompani e re publike (NKEC) do t’ia shesë KEDS-it me çmim të tregut, dhe nëse ka ndryshim në mes të çmimit të tregut dhe këtij të synuar, i njëjti dallim do të subvencionohet nga buxheti i Kosovës!

“Këtë obligim kjo qeveri e ka garantuar për 20 vitet e ardhshme! 20 vite subvencionim i fitimit privat, 20 vite barrë mbi qytetarët e bizneset! Në vitin 2043, Kosova lirohet nga ky obligim! Thënë troç, burg energjetik e financiar për Kosovën! Kuvendi i Kosovës duhet ta ndalë këtë marrëveshje!”, ka shkruar Sejdiu. /Telegrafi/