LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u padit komunat e Kosovës për paga

SBASHK-u padit komunat e Kosovës për paga

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, (SBASHK) ka ngritur padi në gjykatë ndaj komunave për mosrespektimin e të drejtave në arsim.

Kjo padi sipas tyre është ngritur për shkak të mospagesës së tri pagave pas pensionimit të mësimdhënësve dhe mos pagesën e tri pagave pas punës 10 vjeçare në arsim.


Ymer Ymeri, këshilltar për organizim të brendshëm në SBASHK, ka thënë që padia është bërë për gjashtë pagat duke përfshirë tri pagat jubilare me rastin e pensionimit.

“Deri tash i kemi paditur të gjitha komunat në Kosovë duke përfshirë edhe agjensionin i cili menaxhon qendrat e kompetencës dhe Ministrinë e Arsimit. Padinë e kemi bërë për gjashtë pagat duke përfshirë tri pagat jubilare me rastin e pensionimit dhe tri pagat përcjellëse të rastit të kombinimit”, tha ai.

Ymeri në Kosova Direkt në Klan Kosova ka thënë që përjashtim janë komuna e Obiliqit dhe ajo e Drenasit të cilat janë paditur vetëm për pagat jubilare.

“Përjashtim kanë dy komunat ajo e Obiliqit dhe e Drenasit të cilët i kanë dhënë nga tri paga me rastin e pensionimit ndërsa këto dy komuna janë paditur vetëm për pagat jubilare. “Për vitin 2015 dhe 2016 ka përfunduar padia dhe gjatë këtyre dy viteve janë pensionuar gjithsej 1057 anëtarë të SBASHK-ut për të cilët kemi ngritur padi”, ka thënë ai.

“Disa nga këta kanë ngritur padi individuale, ndërsa pjesën tjetër kemi bërë padi kolektive dhe shuma e përgjithshme e të gjitha komunave është 2 milionë e 770 mijë euro”, ka thënë Ymeri, njofton Klan Kosova. /Telegrafi/