LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u pajtohet me vlerën e koeficientit: Nuk e kemi ndërmend të ankohemi te Avokati i Popullit

SBASHK-u pajtohet me vlerën e koeficientit: Nuk e kemi ndërmend të ankohemi te Avokati i Popullit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e ka pranuar vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave prej 105 euro, të caktuar nga Qeveria e Kosovës të mërkurën.

Sipas sindikatës, kjo vlerë nuk i plotëson pritjet tyre, por mundëson  që  mbi 90 për qind e anëtarësisë të kenë një rritje page mesatare rreth 100 euro.


Pakënaqësi me vlerën e koeficientit - paralajmërohen veprime sindikale
Lexo po ashtu Pakënaqësi me vlerën e koeficientit - paralajmërohen veprime sindikale

“Duke pas parasysh që një kohë të gjatë jemi angazhuar dhe kemi  kërkuar në vazhdimësi që Ligji i pagave të jetësohet dhe pasi falë përkushtimit e angazhimit kishim arritur që të kemi një pozitë sa më të mirë në këtë Ligj dhe bazuar në koeficientet  kjo edhe ishte  arritur që  të punësuarit në sistemin arsimor u ranguan në mes të koeficienteve 30-35%, posaçërisht punonjësve të Arsimit Parauniversitar, e në veçanti punëtorëve teknik dhe administrativ si dhe çerdheve”.

“Ky rangim ka bërë që  vlera e  koeficientit prej 105  euro,  e cila nuk i plotëson pritjet tona por ajo   mundëson  që  mbi 90% e anëtarësisë tonë kanë një rritje page mesatare rreth 100 euro. Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut   jemi të vetëdijshëm  se kjo vlerë e koeficientit nuk plotëson  pritjet  e as nevojat  duke marr parasysh ngritjet e çmimeve por edhe koston e jetesës në përgjithësi”, thuhet në komunikatën për media.

Megjithatë, SBASHK-u për momentin mendon që ligji duhet të fillojë së zbatuari me pagat e muajit shkurt 2023 dhe “të metat eventuale të ligjit të përmirësohen gjatë kohës sa është duke u zbatuar ligji”.

“Gjithashtu me qëllim të informimit të saktë të anëtarësisë dhe opinionit të gjerë  japim sqarim se në këto faza nuk ka pas asnjë konsultë për caktimin e vlerës së koeficientit dhe as nuk është kërkuar nga asnjë organ pëlqimi ynë”.

“Pra, SBASHK-u nuk ka ndërmend të dërgoj ankesë te Avokati i Popullit për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/