LAJMI I FUNDIT:

​Samiti i Procesit të Berlinit – Kurti niset drejt Tiranës

​Samiti i Procesit të Berlinit – Kurti niset drejt Tiranës

Krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në një vend të rajonit.

Me pjesëmarrjen e presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe presedentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim Oliver Verhelyi, dhe shumë zyrtarë tjerë evropianë, dëshirojnë të dëshmojnë se sa e përkushtuar është BE-ja në mbështetje të këtij procesi.


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi drejt Tiranës ku do të merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në margjina të samitit, kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij theksoi se në këtë samit nuk është synimi për diskutimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit si dhe për sulmin në veri të Kosovës, por do të ketë një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësinë në rajon.

“Samiti i Tiranës është në vazhdën e Procesit të Berlinit dhe është vizion i kancelares Angela Merkel e cila bëri bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor të mblidhen bashkë dhe të ulen në një tryezë për të filluar një bashkëpunim për të ardhmen dhe ku bashkëpunim është i përcaktuar brenda kornizës së 4 lirive të BE-së që i japin vendeve mundësinë që të japin më shumë”.

“Të gjitha përpjekjet kanë shkuar e shkojnë në këtë drejtim. BE ka marrë një rol nën udhëheqjen e komisionit për të sjellë një kontribut konkret që është shumë i rëndësishëm. Kjo është risia më e madhe që i jep mundësi vendeve nga njëra anë që të aksesojë një fond ekstra te BE-së dhe të ketë hapësira të reja në tregun e përbashkët të BE-së. Kemi përcaktuar edhe një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësinë në rajon, por asgjë më shumë, sepse nuk është ky synimi. Vërtetë Tirana është kryeqyteti evropian i Ballkanit por nuk është kërthiza e Europës. Kërthiza e Europës është në Bruksel ku atje diskutohen këto tema”, tha ai.

Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme./Telegrafi/