Ndryshimi i vogël në rutinën e mbrëmjes mund ta bëjë zgjimin dhe përqendrimin shumë më të lehtë

Një orar i qëndrueshëm i gjumit e lehtëson fjetjen dhe zgjimin, ndërsa u siguron fëmijëve përqendrimin dhe energjinë e nevojshme për të ndjekur mësimin. Ekspertët theksojnë se çelësi i një kalimi të suksesshëm është përshtatja graduale.


Sa gjumë u duhet në të vërtetë fëmijëve?

Nevoja për gjumë ndryshon sipas moshës. Sipas pediatres Dr. Gabrina Dixon nga Children's National Hospital në SHBA, gjumi i mjaftueshëm ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të mësuar dhe në funksionimin gjatë ditës.

Në varësi të moshës, rekomandohen:

  • Fëmijët parashkollorë – deri në 13 orë gjumë
  • Fëmijët e moshës shkollore – 9 deri në 12 orë
  • Adoleshentët – 8 deri në 10 orë.

“Kur themi ‘flini mirë’, nuk është thjesht një këshillë. Gjumi vërtet i ndihmon fëmijët të mësojnë dhe të funksionojnë më mirë gjatë ditës”, thekson Dr. Dixon.

Mungesa kronike e gjumit te fëmijët mund të shkaktojë rënie të përqendrimit, nervozizëm, lodhje të vazhdueshme dhe vështirësi në përvetësimin e mësimeve, transmeton Telegrafi.

Si të ndryshohet rutina e gjumit

Ndryshimet e menjëhershme mund të shkaktojnë edhe më shumë stres dhe përgjumje, paralajmëron Dr. Brian Chen nga Cleveland Clinic. Prandaj, një ose dy javë para fillimit të shkollës rekomandohen disa hapa të thjeshtë.

1. Zhvendoseni gradualisht orarin e gjumit

Çdo mbrëmje, çojeni fëmijën në shtrat 15 deri në 30 minuta më herët, derisa të arrijë orarin e përshtatshëm për ditët e shkollës.

2. Përgatitje për gjumë pa ekrane

Shmangni vaktet e rënda dhe ekranet – televizorin, telefonin dhe tabletin – të paktën dy orë para gjumit. Në vend të tyre, zgjidhni aktivitete qetësuese, si një dush i ngrohtë ose leximi i një libri.

3. Drita e mëngjesit ndihmon zgjimin

Në mëngjes, ekspozimi ndaj dritës natyrale, pranë dritares ose gjatë një shëtitjeje të shkurtër, mund ta ndihmojë trurin të zgjohet dhe të përshtatet më shpejt me ritmin e ri.

Si të zvogëlohet ankthi para ditës së parë të shkollës

Cilësia e gjumit mund të ndikohet edhe nga ankthi para fillimit të vitit shkollor. Ekspertët këshillojnë prindërit të flasin hapur me fëmijët për të kuptuar se çfarë i shqetëson – ambienti i ri, mësuesit apo krijimi i shoqërisë së re.

Mund të ndihmojnë edhe disa “prova” para fillimit të mësimit, si vizita në shkollë ose takimi me shokët dhe shoqet e klasës.

Edhe nëse fëmija nuk është kthyer ende plotësisht në ritmin e zakonshëm të gjumit, nuk ka arsye për panik. Fëmijët zakonisht përshtaten shpejt, për sa kohë që prindërit tregohen të durueshëm dhe të qëndrueshëm në rutinën e re. /Telegrafi/