Sot Hibrid.info ka lansuar platformën “Checkos” që synon të ofrojë shkathtësi bazike të standardeve profesionale dhe kodit etik të gazetarisë.

Kjo platformë lansohet në kuadër të projektit për edukim medial dhe është e qasshme përmes linkut www.checkos.info

Kjo platformë përmban një databazë artikujsh që janë në dispozicion të qytetarëve për t’i testuar njohuritë e tyre rreth standardeve profesionale dhe kodit etik të gazetarisë si dhe udhëzuesin për to.

Platforma do të shërbejë si një hapësirë edukuese, ku përdoruesit jo vetëm testohen, por edhe u ofrohen shkathtësitë bazike mbi vlerësimin e lajmeve.

Synimi i “Checkos” është që përmes përdorimit të tij, qytetarët ta indentifikojnë nivelin e tyre të njohurive rreth artikujve gazetareskë, si dhe çrregullimit informativ, që konsumohen në baza ditore nga mediat e ndryshme në Kosovë.

Fenomeni i çrregullimit informativ është një sfidë me të cilën po përballet e gjithë bota, gjë që ka çuar në uljen e besimit në media nga qytetarët. Hiç më mirë nuk qëndron Kosova, ku shpërthimi i mediave të reja online ka bërë që të ulen standardet profesionale të raportimit.

Hibrid.info në baza ditore identifikon dhe zbërthen artikuj jocilësorë të publikuar nga një sërë mediash në Kosovë.

Gjithsesi, ideatorja e këtij aplikacioni, Gentiana Paçarizi, thotë se përmes Checkos-it, ka ndërmarrë një qasje tjetër, jo të fajësimit të medieve, por fuqizimit të audiencës.

“Përmes Checkos, synojmë që t’u ofrojmë audiencës shkathtësitë bazike për ta dalluar lajmin profesional dhe atë jo profesional. Kur audienca të jetë e gatshme t’i aplikoj këto shkathtësi, do të shihet se do të rritet mbështetja ndaj mediave profesionale që njëmend e marrin kohën e duhur për t’i informuar qytetarët. Një pjesë të madhe të fajit për gjendjen e tanishme të hapësirës mediale e bartin qytetarët pasi, në mungesë të shkathtësive mediale, nuk i sfidojnë informatat që i konsumojnë përmes lentës kritike. Dhe sigurisht, mediat i ndjekin audiencat dhe krijohet një rreth vicioz, i cili vështirë ndërpritet”.

E gjithë puna për përgatitjen e Checkos-it është mbikëqyrur nga një grup ekspertësh që mbulojnë fushën e mediave në Kosovë, përfshirë akademinë, mediet dhe bordet (vet)rregulluese të mediave.

Themeluesi i platformës për kontrollimin e fakteve, Hibrid.info, Shkëlzen Osmani e konsideron “Checkos” si një mjet përplotësues krahas punës së vazhdueshme që është bërë në këtë platformë për luftën kundër artikujve joprofesionalë dhe lajmeve të rreme.

“Krahas identifikimit të lajmeve të rreme ose të keq-prezantuara, që bëhet në baza ditore në Hibrid, Checkos është përplotësues pasi tenton ta heq një copë të barrës nga trupat specifikë në këtë angazhim dhe ua bartë vetë lexuesve”, përfundon Osmani.

Ndërkaq, Paçarizi, shton se rezultatet e nxjerra nga ky aplikacion do t’u shërbejnë palëve të interesit në këtë fushë për t’i parë qartazi fushat urgjente të intervenimit.

“Në Kosovë, të dhënat për nivelin e edukimit të qytetarëve rreth mediave janë të rralla, nëse jo inekzistente. Checkos është dizajnuar në një mënyrë të tillë që është praktik për secilin dhe nxjerrë të dhëna të performancës së përdoruesve në bazë të moshës, gjinisë, edukimit dhe vendit gjeografik”, thotë Paçarizi duke shtuar se këto të dhëna mund të ofrojnë një pasqyrë më reale se ku gjendemi si shoqëri në raport me konsumimin kritik të mediave.

Platforma është në fazën pilotuese në Kosovë dhe së shpejti do të jetë edhe në formë të aplikacionit në telefon për përdoruesit e iPhone dhe Android.

Checkos është rezultat i garës rajonale “Media Innovation Lab”, të mbështetur nga Balkans Media Assistance Program (BMAP), USAID, dhe implementuar nga Internews në Bosnje dhe Hercegovinë.