Sa fitojnë shoferët e kamionëve që pranojnë të kontrabandojnë për grupet e krimit të organizuar?


Një zyrtar i policisë rumune ka zbuluar se si grupet e krimit të organizuar rekrutojnë shoferë kamionësh për kontrabandë dhe sa paguhen ata. Sipas tij, rreziqet janë jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa shpërblimet financiare janë të vogla në krahasim me vlerën e ngarkesave që transportohen.
Shoferët e kamionëve në Rumani po bëhen gjithnjë e më shpesh objektiv i rrjeteve kriminale, të cilat përpiqen t'i bindin të transportojnë mallra të paligjshme, madje edhe drogë.
Në këmbim u ofrohen shuma të ndryshme parash, por pasojat mund të jenë shumë të rënda – nga dënime të gjata me burg deri te rrëmbimet dhe torturat, paralajmëron një zyrtar i Brigadës Rumune për Luftimin e Krimit të Organizuar (BCCO).
Sipas tij, grupet kriminale kërkojnë shoferë me përvojë, që njohin mirë rrugët evropiane të transportit dhe kalojnë rregullisht kufijtë pa ngjallur dyshime.
Atyre u kërkohet të transportojnë një "paketë" ose të lejojnë fshehjen e një ngarkese të paligjshme në kamion. Në shumë raste, shoferët pretendojnë se nuk e dinë, ose nuk duan ta dinë, se çfarë përmban ngarkesa.
Si rekrutohen shoferët?
Sipas zyrtarit, rekrutimi bëhet më së shpeshti në porte dhe parkingje të mëdha ku ndalojnë transportuesit ndërkombëtarë, ndërsa kamionët presin të ngarkohen ose shkarkohen, shkruan Adevarul.
Personat që kontaktojnë shoferët u ofrojnë para për të transportuar një pako ose për të fshehur mallra të paligjshme në kamion. Ata interesohen për itinerarin, shtetet nëpër të cilat kalon shoferi dhe kohën e mbërritjes në destinacion.
Më të kërkuarit janë shoferët me përvojë, që njohin mirë pikat kufitare, procedurat doganore dhe parkingjet përgjatë rrugëve ndërkombëtare. Detyra e tyre është të vazhdojnë udhëtimin normalisht dhe të njoftojnë kontaktin sapo të mbërrijnë në destinacion.
Sa paguhen?
Shuma që marrin varet nga lloji i mallit që kontrabandohet. Megjithatë, shumë shoferë zgjedhin të mos bëjnë pyetje për përmbajtjen e ngarkesës.
"Ka pasur raste kur një shofer ka thënë: 'Bëni çfarë të doni, nuk më intereson. Më jepni 5.000 euro dhe kur të arrij në Itali, do ta telefonoj personin që do ta marrë mallin'", rrëfen zyrtari i BCCO-së.
Edhe pse disa mijëra euro mund të duken si një fitim i lehtë, policia thekson se kjo është një shumë simbolike krahasuar me vlerën e mallrave që kontrabandohen.
Kur bëhet fjalë për drogë, ngarkesat mund të vlejnë miliona euro, ndërsa shoferët marrin vetëm disa mijëra euro, duke rrezikuar lirinë, pasurinë, madje edhe jetën e tyre.
"Kemi pasur raste kur shtetas rumunë janë rrëmbyer dhe torturuar", zbuloi zyrtari.
Për kontrabandë ndërkombëtare të drogës, shoferët rrezikojnë deri në 20 vjet burg, edhe nëse pretendojnë se nuk e dinin se çfarë transportonin. /Telegrafi/







































