Danubi në minimum historik, Rumania fik një reaktor bërthamor

Rumania mbyll një reaktor bërthamor për shkak të nivelit shumë të ulët të Danubit.
Rumania do ta ndalojë përkohësisht funksionimin e njërit prej dy reaktorëve bërthamorë në centralin e Çernavodës, pasi niveli i ujit në lumin Danub ka rënë në pikën më të ulët në rreth 30 vjet, duke rrezikuar funksionimin normal të sistemit të ftohjes.
Kompania shtetërore Nuclearelectrica njoftoi se Reaktori 1 do të ndalet në mënyrë të kontrolluar për të parandaluar dëmtimin e pajisjeve, ndërsa pritet që niveli i ujit të rikthehet në vlera më të sigurta.
Centrali bërthamor i Çernavodës ka dy reaktorë me kapacitet prej rreth 706 megavatësh secili dhe prodhon afërsisht 20% të energjisë elektrike të Rumanisë, raportojnë mediat.
Autoritetet rumune thanë se vendimi është thjesht një masë parandaluese dhe se furnizimi me energji elektrike në vend nuk pritet të rrezikohet, pasi kërkesa do të mbulohet nga burime të tjera të prodhimit.
Thatësira dhe temperaturat e larta kanë ulur ndjeshëm prurjet e Danubit, duke shkaktuar probleme jo vetëm për centralet energjetike, por edhe për transportin lumor në disa vende të Evropës Juglindore. /Telegrafi/





































