Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ka njoftuar për vazhdimin e investimeve në projekte infrastrukturore në Komunën e Prishtinës, me vlerë të përgjithshme prej 9 milionë eurosh.

Një nga projektet e përmendura është vazhdimi i rrugës “Bajram Bahtiri”, me vlerë totale prej 2.9 milionë eurosh, prej të cilave 1.4 milionë euro financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.


Sipas ministrisë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë nënshkruar tri marrëveshje për realizimin e projekteve infrastrukturore.

Projektet përfshijnë ndërlidhjen e rrugës Kolovicë–Sofali, vazhdimin e rrugës “Bajram Bahtiri” me katër korsi dhe kyçjen në rrethin e Lakrishtës.

Nga vlera e përgjithshme prej 9 milionë eurosh, 4.3 milionë euro, apo rreth 47 për qind, do të financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit investon në të gjitha komunat e Kosovës, në partneritet me pushtetin lokal, për të realizuar projekte që përmirësojnë infrastrukturën dhe lehtësojnë jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas MIT-it, këto investime synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore në kryeqytet dhe lehtësimin e qarkullimit për qytetarët.

Ministria ka theksuar se investimet janë pjesë e angazhimit të Qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës në Prishtinë, në bashkëpunim me pushtetin lokal. /Telegrafi/