Rusia godet me dron një anije mallrash me flamur turk

Një anije mallrash në pronësi turke është goditur nga një dron rus në Detin e Zi, menjëherë pasi kishte lënë rajonin e Odesës në Ukrainë, një zonë që shpesh është objekt sulmesh për shkak të rëndësisë së saj portuale dhe tregtare. Si pasojë e goditjes, dy anëtarë të ekuipazhit kanë mbetur të plagosur.
Sipas burimeve ukrainase, sulmi ka shkaktuar zjarr në bord, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e anijes dhe të gjithë ekuipazhit.
Reagimi ka qenë i shpejtë nga ekipet e Marinës së Ukrainës, të cilat kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe për të stabilizuar situatën. Pas vënies nën kontroll të zjarrit, autoritetet kanë organizuar evakuimin e të plagosurve, të cilëve u është ofruar ndihma e parë dhe trajtim mjekësor, shkruan skynews.
Autoritetet në Kiev e kanë dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar si një sulm të qëllimshëm ndaj një anijeje civile tregtare. Sipas tyre, një veprim i tillë rrit ndjeshëm rrezikun për transportin detar ndërkombëtar në Detin e Zi dhe përbën shkelje të rënda të sigurisë së lundrimit.
Gjithashtu, Ukraina ka deklaruar se gjatë së njëjtës valë sulmesh gjatë natës janë shënjestruar edhe dy anije të tjera tregtare të huaja, duke treguar se sulmet nuk kanë qenë të izoluara, por pjesë e një operacioni më të gjerë.
Kjo ka ngritur shqetësime të reja për përshkallëzimin e situatës dhe për rrezikun që po u kanoset gjithnjë e më shumë anijeve civile në këtë zonë strategjike të rëndësishme për tregtinë globale. /Telegrafi/













































