Rusia akuzoi të enjten kancelarin gjerman Friedrich Merz se po ndjek një rrugë "militarizimi" dhe tha se kjo ishte një shkak për shqetësim.

Merz, një konservator që mori detyrën në maj, ka mbajtur një qëndrim më të vendosur në mbështetje të Ukrainës sesa paraardhësi i tij socialdemokrat Olaf Scholz, ndërsa premtoi të rrisë presionin mbi Rusinë për konfliktin në Ukrainë.


Ai vizitoi Kievin brenda pak ditësh pasi u bë kancelar dhe mbështeti të drejtën e Ukrainës për të nisur sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus.

Nën drejtimin e Merz, Gjermania planifikon të rrisë shpejt shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të produktit të brendshëm bruto deri në vitin 2029, pasi ka arritur objektivin e mëparshëm të NATO-s prej 2% vetëm në vitin 2024.

Dhe lidhur me këto, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha në konferencën e saj javore për shtyp se Gjermania kishte ndjekur një politikë hapur armiqësore ndaj Rusisë në vitet e fundit dhe se Merz po e rriste retorikën anti-ruse "fjalë për fjalë çdo ditë".

“Kjo retorikë po bëhet gjithnjë e më agresive dhe militante. Dhe ne besojmë se kursi që ai ka zgjedhur për të përshkallëzuar marrëdhëniet me Rusinë paralelisht me militarizimin e detyruar të Gjermanisë është një shkak për shqetësim të madh, para së gjithash për vetë qytetarët e (Gjermanisë)”, ka pretenduar Zakharova.

Deri më tani, Berlini nuk ka bërë ndonjë koment mbi deklaratat e Zakharovas. /Telegrafi/