Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka bërë me dije se ka marr konfirmimin nga autoritetet përgjegjëse për mënyrën e qarkullimit të punëtorëve që punojnë në qytetet ku zbatohet ora policore pas vendosjes së masave anti-COVID-19 nga Qeveria e Kosovës.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se, punëtorët që punojnë në zonat e kuqe, mund të kthehen në vendbanimet e tyre edhe pas një ore, por që duhet pasur me vete vërtetimin se kanë qenë në orar të punës deri në ora 19:00.

“Punëtorët që punojnë në zonat e kuqe dhe ku ka orë policore, mund të lëvizin, përkatësisht të kthehen në vendbanimet e tyre, deri në një ore, pas fillimit të orës policore. Të njëjtit duhet të kenë vërtetimin që kanë qenë në orar të punës, deri në ora 19:00”, ka shkruar Rukiqi, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, sipas tij, punëtorët që kanë të organizuar punën në turne, lëvizja i lejohet duke e prezantuat dokumentin e nxjerr në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Për punëtorët e kompanive që e kanë të organizuar punën me turne, nga sektorët që ju lejohet veprimtaria, pra që punojnë edhe pas orës 19:00 (prodhim, shërbime, etj), lejohet lëvizja, duke e prezantuar dokumentin e nxjerrë nga ATK. Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme e ka përcjellë informatën te policia ne mënyrë që të mos ketë asnjë pengese në lëvizjet e punëtorëve”, përfundon ai.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19 kishte vendosur disa masa, ku ndër të tjera ka qenë vendosja e orës policore nga ora 19:00 deri 05:00, për të gjitha ato vendbanime ku numri i të infektuarve është i lartë. /Telegrafi/