LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi e quan interpretim tendencioz të dhënat e prezantuara nga Kurti për ekonominë

Rukiqi e quan interpretim tendencioz të dhënat e prezantuara nga Kurti për ekonominë

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ka quajtur të pasakta dhe interpretim tendencioz të dhënat e prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me ekonominë e vendit.

Kurti të shtunën ka renditur hapat e marrë nga Qeveria, që sipas tij kanë ndikuar në rritjen ekonomike në vend.


Lidhur me këto të dhëna të paraqitura ka reaguar Rukiqi, duke dhënë tri komente në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se qarkullimi i bizneseve është rritur si rezultat i inflacionit dhe jo fuqisë blerëse apo ndonjë performance më të mirë ekonomike.

“Rritja e qarkullimit, është rezultat i inflacionit (në shumicën e produkteve, rritja e çmimeve është mbi 20%)”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Tutje, ka thënë se vendet e reja të punës të cilat kryeministri pretendon se janë hapur në qeverisjen e tij, janë vetëm formalizim.

“’Vendet e reja te punës’, janë formalizim i vendeve të punës, të cilat kanë ekzistuar si vende pune, pra nuk janë vende të reja të punës, si rezultat i ndonjë investimi apo rritje e bizneseve ekzistuese”.

Rukiqi ka folur edhe për eksportin duke thënë se është rritur nga kompanitë private dhe performanca e tyre.

“Qeveria nuk mund ta thotë që ka ndërmarrë ndonjë masë apo politikë të vetme që ka ndikuar në këtë performancë të eksportit. Minimalisht çka duhet të bëjë Kryeministri, është të vizitojë dhe të ju japë përkrahje simbolike, atyre që sot janë mbi 25% e eksportit të Kosovës, përkatësisht kompanisë “Devolli Corporation”, po edhe kompanive tjera që me shumë mund kanë arritur një pozicionim në tregjet globale”. /Telegrafi/