LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Idetë e paraqitura në planin qeveritar duhet të zbatohen në kontekstin ekonomik që është ndërtuar deri më tani

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se idetë e prezantuar nga koalicioni qeverisë janë interesante, por që duhet zbatuar në kontekstin ekonomik që është ndërtuar deri më tani në vend.

Rukiqi tha se bashkimi i ministrive, në veçanti të sektorit të ekonomisë, do të krijoj efekt pozitiv, dhe sipas tij, kjo fazë e bashkimit është mjaftë e vështirë.


“Është reflektim i asaj se çfarë kanë premtuar te dyja partitë gjatë fushatës zgjedhore. Ka risi në atë se çfarë kemi parë deri më tani, është për t’u parë pjesa që lidhet më Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku transformimi i saj nuk besoj se është aq i thjeshtë. E dyta që është më rëndësi të theksohet është ajo që lidhet me Fondin Sovran, si një qasje tjetër e rritjes së vlerës së kompanive publike, pastaj shohim një element të caktuar së shohim me Fondin Zhvillimor, që kryesisht synon përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Të gjitha këto janë ide interesante, por të cilat duhet të zbërthehen apo elaborohen në detaje dhe të zbatohen në kontekstin ekonomik që kemi ndërtuar deri më tani”, tha Rukiqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë për Telegrafin

“Ka pasur thirrje edhe në të kaluarën të ketë zvogëlim të numrit të ministrive, apo centralizim të kompetencave. Tash kemi një superministri të Zhvillimit Ekonomik. Bashkimi është i mirë në kuptim praktik dhe në aspekt afatgjatë do të krijoj efekte më pozitive, por në këtë fazë do të jetë proces mjaftë i vështirë, por ne e konsiderojmë mjaftë pozitive që tani kemi një numër më të vogël të adresave ku duhet të drejtohemi për çështje të caktuara të reformave ekonomike dhe mjedisit të të bërit biznes”, shton ai.

Rukiqi thotë se duke u bazuar në përvojat e qeverive të kaluara, është skeptik për prioritet ekonomike.

“Ne nuk kemi pasur pritje tjera as nga qeveritë e kaluara, por në të kaluarën ka pasur një diskrepancë ndërmjet asaj që është kërkuar dhe asaj që është zbatuar. Tash nëse bazohemi në përvojat e qeverive të kaluara, ndoshta na jep arsye me qenë skeptik që çdo qeveri do ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik, por neve na mbetet të bëjmë thirrje. Ne duhet të kemi bashkërendim dhe në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje bizneseve që të janë më të artikuluara se sa kanë qenë deri më tani për sa i përket kërkesave që janë të nevojshme që përmes vendimmarrjes të ketë ndikim në politikat ekonomike”, thotë Rukiqi.

Po ashtu, ai në këtë intervistë ka folur edhe për paralajmërimin e kryeministrit Albin Kurti për vendosjen e masës së reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë. /Telegrafi/