LAJMI I FUNDIT:

Rrugët qorre të mendimit shqiptar

Rrugët qorre të mendimit shqiptar

Për mendimin shqiptar, rënia e komunizmit në vendin tonë fill pas rënies së këtij regjimi në të gjithë Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik, pati pasoja katastrofike. Katastrofa prek themelet strukturore të sistemit social dhe, për këtë arsye, i imponohet mendimit duke e vendosur para faktit se nuk ka më kohë dhe duhet zgjedhur patjetër një rrugë drejt së ardhmes. Në këtë kuptim, rënia e komunizmit ka qenë për mendimin shqiptar aq katastrofike sa dhe “vdekja e Zotit” për mendimin evropian.

Post-modernizmi dhe konservatorizmi janë dy rrugë kryesore për të kuptuar zhvillimin e mendimit shqiptar pas rënies së komunizmit. Natyrisht, me to lidhen edhe rrugë të tjera dytësore, të cilat, së bashku, formojnë strukturën logjike dhe historike të mendimit shqiptar në post-komunizëm. Ne duhet t’i gjurmojmë këto rrugë në mënyrë kritike, për të kuptuar se si dhe pse dështoi mendimi shqiptar në 30 vitet e fundit.


Rënia e komunizmit i vendosi “klerikët” e regjimit të kaluar në pozitë tejet të vështirë. Në regjimin e ri, të emërtuar “demokraci”, “pluralizëm”, ose thjesht “post-komunizëm”, shërbimet e tyre nuk nevojiteshin më. Njerëz të trajnuar për shumë vite në marksizëm-leninizëm dhe praktikantë të zotë të doktrinës, tashmë, duhet të riformatoheshin sipas kërkesave dhe nevojave të regjimit të ri. Për ta bërë këtë, ata duhet njëkohësisht ta tradhtonin dhe t’i qëndronin besnikë “Zotit” të tyre të deriatëhershëm. Ata duhet të vazhdonin të bënin çka kishin bërë në komunizëm, por duke i vendosur një përmbajtje të re formës së vjetër.

Parë logjikisht, kontributi i tyre për regjimin komunist kishte qenë inferenca – lidhja e premisave me konkluzionin. Ata nuk i patën vënë ndonjëherë në dyshim premisat e komunizmit, faktet dhe arsyet e regjimit, pra mënyrën e vëzhgimit të realitetit nga regjimi komunist në Shqipëri. Ata nuk patën në dyshim as konkluzionin e regjimit, zgjidhjet për problemet, ekzekutimet për “armiqtë e popullit”, internimet masive të popullsisë, politikat diskriminuese për fshatin, apo luftën e ashpër të klasave që nuk kursente as fëmijët. Këta “klerikë” të regjimit, në fakt, nuk kishin qenë ndonjëherë mendimtarë. Ata kishin qenë stilistë – kishin gjetur mënyra të përshtatshme, kishin futur në modë, kishin qepur, arnuar dhe kopsitur premisat e regjimit me konkluzionin e regjimit.

Vazhdimësia e tyre në regjimin e ri mund të ishte vetëm vazhdimësi pseudo-mendimi. Në 30 vitet që pasuan, këta psedo-mendimtarë prodhuan një numër shumë të madh librash, artikujsh dhe intervistash, të cilat e tradhtonin në gjithçka përmbajtjen e regjimit komunist, por duke i qëndruar tërësisht besnik formës komuniste. Ata vazhduan të mos mendojnë dhe t’i përkrahin në mënyrë dogmatike premisat (tashmë të regjimit të ri: parimet e demokracisë, vlerat si liria dhe tregu, idealet si shteti i së drejtës), duke i lidhur stilistikisht me konkluzionet e preferuara të regjimit të ri, dhe, herë pas here, të qeverisë në pushtet.

Regjimi komunist nuk prodhoi vetëm pseudo-mendimtarë. Prej tij dolën edhe figura që kanë dhënë kontribut gjatë këtyre 30 vjetëve në një lloj mendimi reflektiv. Megjithatë, në rastin më të mirë ky lloj mendimi nuk ka arritur të jetë i vlefshëm për shoqërinë; dhe në rastin më të keq ka qenë i dëmshëm.

Kjo ka ardhur për shkak se ky mendim vetëm ka synuar ta modelojë realitetin, duke marrë në konsideratë një numër tiparesh si të rëndësishme dhe duke injoruar tiparet e tjera dhe specifikat e realitetit shqiptar. Veçanërisht, në këto modele nuk figurojnë aspak kultura dhe historia, duke formuluar në këtë mënyrë probleme pa kontekst, krejtësisht abstrakte. Në mungesë të kontekstit, zgjidhjet janë kërkuar prej krahasimit të modeleve (të cilat shërbejnë si “teksti” në studime). Kështu, e vetmja alternativë për kryerjen e analizës krahasuese ka qenë vlerësimi normativ i modeleve. Modeli francez, evropian, perëndimor është vlerësuar si “i përparuar”, ndërkohë që modeli shqiptar, aziatik, lindor është vlerësuar si “i prapambetur”. Rrjedhimisht, ky lloj mendimi modelues mund të arrijë te një konkluzion i vetëm: të bëjmë dhe të bëhemi si francezët, si evropianët, si perëndimorët.

Mendimi modelues, natyrisht, mund t’i shërbejë mjaft mirë retorikës politike, siç është zhvilluar në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit; por nuk është ky misioni i mendimit – ai duhet të ketë vlerë për shoqërinë, pra vlerë publike, jo strategjike në shërbim të disa privatëve apo personave.

Këtë mision mund ta përmbushë mendimi teorik, i cili e trajton realitetin në kompleksitetin e vet, pa ia reduktuar elementet kulturore dhe historike. Mendimi modelues, nga ana e tij, vetëm mund të prodhojë varësi dhe komplekse të reja kundrejt civilizimeve që i konsideron superiore ndaj tonit, duke shtuar numrin e botimeve orientaliste dhe dogmatike, pa sjellë as kritikë reale dhe as zgjidhje të përshtatshme të problemeve tona.

Një rrugë tjetër mendimi e çelur në hapësirën shqiptare ka qenë përpjekja për të aplikuar parimet etike në politikë. Në pamje të parë, kjo duket e lavdërueshme, pasi politikës moderne i mungon suplementi etik. Por, siç kuptohet lehtë, politika ka logjikën e vet, ka rregullat dhe normat e veta që përcaktojnë suksesin dhe dështimin e ideve, individëve dhe partive. Në këtë kuptim, ky projekt për etikëzimin e politikës, duket se i përket lashtësisë greke.

Megjithatë, mendimtarët e përfshirë në këtë projekt nuk i janë referuar Platonit dhe Aristotelit, por një filozofi modern me ndikim të madh në kohën e sotme, Kantit. Pra, nëse mund të thuhet për grekët e lashtë se janë të paaplikueshëm në kontekstin bashkëkohor, kjo është më e vështirë të thuhet për Kantin.

Ky argument do të kishte vlerë, nëse Kanti do të interpretohej besnikërisht. Por këta mendimtarë, me ose pa dashje, e kanë keqkuptuar filozofin e madh gjerman. Ata flasin për vetëvendosje, për imperativ kategorik dhe reciprocitet, ashtu sikundër bën Kanti në fakt te etika e tij. Veçse këto nocione te Kanti i referohen gjithmonë etikës dhe marrin kuptim nga ajo që ai e quan “mbretëria e qëllimeve”. Mbretëria e qëllimeve është një botë ideale ku çdo njeri racional trajtohet si qëllim dhe jo si mjet për të arritur qëllimin. Kur Kanti flet për mbretërinë e qëllimeve, ai është duke zhvilluar një eksperiment mendor, jo duke përshkruar realitetin. Në mbretërinë e qëllimeve çdokush mund të ndjekë interesat e veta në mënyra që nuk bien ndesh me interesat e të tjerëve, por duke i ndihmuar të tjerët.

Mbretëria e qëllimeve i shërben mjaft mirë themelimit të etikës, por, duke qenë ideale dhe eksperimentale, ajo nuk mund të shërbejë si premisë e veprimit politik, që lipset të marrë në konsideratë realitetin, të dhënat objektive, kufizimet strukturore, historinë dhe kulturën e popullit – jo thjesht dhe vetëm nocionin metafizik të vullnetit.

Të paformuar në komunizëm, por të edukuar me literaturë komuniste, neo-komuniste dhe post-komuniste, është një grup tjetër mendimtarësh më të rinj në moshë dhe të angazhuar për kauza sociale të ndryshme, por gjithmonë në anën e atyre që konsiderohen prej tyre si “të shtypurit”, “të shfrytëzuarit”, “të diskriminuarit” dhe “të varfërit”. Mendimi që ka sjellë ky grup është i karakterit ideologjik. Problemi i këtij mendimi është se ai niset nga një “dhimbje a priori”, siç do të shprehej filozofi bashkëkohor gjerman Sloterdijk, nga një procedurë e gjetjes së të vërtetës përmes dhimbjes. Më tej, këta mendimtarë ideologjikë synojnë të demaskojnë një realitet shoqëror që tashmë e ka demaskuar vetë veten. Të flasësh vazhdimisht për “oligarkët” nuk kontribuon ndonjë gjë në ndërgjegjen e masave popullore: masat e dinë që ka njerëz të favorizuar në bizneset e tyre, formalisht ose jo, nga pushteti qeveritar. E dinë që taksat nuk shkojnë gjithmonë dhe të gjitha për të mirën e tyre. E dinë që kontratat e punës, gjithmonë, janë në favor të punëdhënësit.

Mendimi ideologjik i linjës marksiste nuk ofron ndonjë kritikë të realitetit. Ai ofron iluzionin e kritikës. Gjendja post-moderne karakterizohet nga ironia e përgjithësuar. Sloterdijk e përkufizon cinizmin si “ndërgjegje false të iluminuar”. Ndërkohë që Marxi, kujtojmë, flet për problemin themelor të “ndërgjegjes false”. Mendimtarë ideologjikë bien në kurthin e cinizmit. Duke besuar se me mendimin e tyre kontribuojnë për iluminimin e ndërgjegjes false të masave, ata, në fakt, vetëm kontribuojnë për rritjen e dozës së cinizmit dhe të shtrirjes së arsyes cinike në shoqëri.

“Kritika” shndërrohet në idealizëm, duke e reduktuar në mënyrë cinike të vërtetën në një ekspozim të pasinqertë të të këqijave dhe të padrejtësive. Fenomenologjikisht, cinizmi është dëshira për “të vërtetën lakuriqe”, për të vërtetën pas dukjes. Ky theksim i trupores dhe i fuqive tronditëse të saj dëshmon se mendimtarët ideologjikë kanë hyrë në rrugën qorre të një “materializmi dioniziak”, të një kombinimi fatal të Marxit dhe Nietzsches, ku konservatorizmi autoritar marksist suplementohet me post-modernizmin nihilist niçean.