Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në fshatin Koretin të Kamenicës, ku rrjedhat e ujit kanë dalë nga shtrati, duke përfshirë disa zona pranë shtëpive dhe tokave bujqësore.

Banorët raportojnë se niveli i ujit është rritur me shpejtësi, ndërsa qarkullimi në disa rrugë lokale është bërë i vështirë.


Ekipet emergjente komunale janë njoftuar për situatën dhe po monitorojnë nga afër terrenin, me qëllim ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në rast të përkeqësimit të mëtejmë të gjendjes, raporton Telegrafi.



Fotografi, Arian Mavriqi, ka sjellë pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen rrjedhat e ujit që përhapën nëpër zonat e ulëta të fshatit, duke krijuar shqetësim tek banorët.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar dhe u kërkojnë qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga vërshimet. /Telegrafi/