LAJMI I FUNDIT:

Në cilat vende Kosova eksporton më së shumti, e nga kush importojmë?

Në cilat vende Kosova eksporton më së shumti, e nga kush importojmë?

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 3,1% në muajin gusht 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 455,8 milionë euro, krahasuar me deficitin 441,9 milionë euro në vitin 2022.

Eksporti mbulon importin me 12,9%.


Eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 523,1 milionë euro, që është një rënie prej (-20,7%) për eksport, si dhe (-0.7%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 19,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5,4% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16,9% e përbëjnë produktet minerale; 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,4% e përbëjnë  mjetet e transportit; 6,0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5,9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20,6 milionë euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-33,4%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,3%), Italia (3,3%), Holanda (3,2%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217,0 milionë euro, ose 41,5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1,8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11,8%), Greqia (6,0%), Italia (4,4%), etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 26,7 milionë euro, ose 39,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-17,1%). Partnerë kryesorë për eksport ishin: Shqipëria (14,3%), Maqedonia e Veriut (13,4%), Mali i Zi (5,4%), Serbia (5,2%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 73,2 milionë euro, ose 14,0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-26,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,5%), Maqedonia e Veriut (4,5%), Serbia (2,1%).

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19,9 milionë euro, ose 29,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (15,9%) dhe Zvicra (8,5%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 232,8 milionë euro, ose 44,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,0%) dhe Kina (12,7%).

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: /Telegrafi/