LAJMI I FUNDIT:

Rritet buxheti për subjektet politike, Kurteshi: Edhe po dëshironi ta rrëzoni Qeverinë

Rritet buxheti për subjektet politike, Kurteshi: Edhe po dëshironi ta rrëzoni Qeverinë
Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e radhës mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024.

Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme 4 milionë e 800 mijë euro, me një rritje të shumës prej 600 mijë euro.


Nga kjo shumë, subjektit më të madh politik në vend, Vetëvendosjes iu kanë ndarë 2 milionë e 280 mijë euro, PDK-së 760 mijë euro, LDK-së 640 mijë euro, Listës Serbe 360 mijë euro dhe AAK 320 mijë.

Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala theksoi se për 600 mijë euro është rritur Fondi për mbështetjen e partive politike për vitin 2024.

“Obligohemi me përgatitur një rekomandim për miratimin e vendimit për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e subjekteve politike. Fondi është për vitin kalendarik 2024, numri i subjekteve që përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës është 15, ndërsa shuma e mjeteve totale nga fondi është 4 milionë e 800 mijë euro, kjo shumë është rritur për 600 mijë euro. Andaj, i rekomandojmë KQZ-së që të marrë vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2024”, theksoi ai.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti theksoi se për herë të parë pas 12 vjetëve është pranuar kërkesa për rritje të fondit për 15 për qind.

“Kërkesa që është bërë në qeveri për rritje të fondit është rritur për 15 për qind. Ka qenë 4 milionë e 200 mijë euro, tani është bërë 4 milionë e 800 mijë euro. Kjo për herë të parë pas 12 vjetëve”, theksoi ai.

Megjithatë ndaj Hamitit ka reaguar me ironi anëtari tjetër i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

“Edhe po shikoni këtë qeveri ta largoni sa më shpejt, a? E rrëzoni, por nuk ju bie mirë”, theksoi ai.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi theksoi se me nëntë vota pro është miratuar Fondi për Mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2024 në vlerë 4.8 milionë euro.

“Me nëntë vota për, miratohet rekomandimi i Zyrës për fondin. Ashtu që caktohet lartësia e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2024 sipas listës të dorëzuar nga Zyra”, theksoi Radoniqi. /KP/