LAJMI I FUNDIT:

Rriten për 70% ankesat e konsumatorëve

Rriten për 70% ankesat e konsumatorëve

Për gjashtë muajt e fundit është rritur numri i ankesave të konsumatorëve në 70 për qind vetëm në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Sherif Fejzullahu, në konferencën për media ka folur për aprovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit nga Parlamenti i Kosovës, për realizmin e programit për mbrojte të konsumatorit dhe zgjerimi i Këshillit me anëtar të ri për mbrojtje të konsumatorit.


“Departamenti ka pranuar 142 ankesa ka rritje 70 për qind, ato janë të garancisë së produkteve, mos përputhje me çmimin në arkë, produktet ushqimore, shërbime të telekomunikimit, ndaj Bankës Qendrore tetë ankesa dhe të tjera. Këto janë fushat që konsumatorët ankohen”, tha Fejzullahu.

Ai tha se Këshilli ka mision për vetëdijesimin e konsumatorëve për raportimin e abuzimit ndaj konsumatorit dhe se ky ligj obligon MASHT-in ta fusë në program mësimor nëpër shkolla.

“Është standard dhe ligj evropian që ne e kemi adaptuar, që vetëdije dhe edukata e qytetarit konsumator do të fillojë nga bankat e shkollave. Unë po e dëshmoj që edhe ministri i Arsimit në dy-tri prononcime ka potencuar që janë duke u përgatitur me kurikulë ose siç po i quajnë atë me një shprehje tjetër, do të inkorporohen në programet mësimore, me ligj është e obliguar”, ka thënë Fejzullahu.

Anëtari i këtij Këshillit, Selatin Kaçaniku njëherësh kryetar i shoqatës Konsumatori, ka folur për ligjin në fjalë dhe për gjendjen aktuale të konsumatorëve.

“Ka kaluar ligji dhe ne jemi të lumtur, ani se kemi diskutime se ligji është plotësuar është begatuar edhe me propozime të reja, ato propozime ashtu siç u premtua ne do t’i shqyrtojmë, sepse disa janë të pa kuptueshme për ne duhet të socializohemi me to dhe ajo që unë do të doja të ndaja me ju, është neni, i cili rregullon trajtimin e shoqërisë civile për mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë Kaçaniku.

Ky Këshill ka shtatë anëtarë aktualisht dhe së shpejti do të jenë pjesë edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile. /Kp/Telegrafi/