LAJMI I FUNDIT:

RrGK mirëpret dënimin me burgim të përjetshëm të Pjetër Nrecajt

RrGK mirëpret dënimin me burgim të përjetshëm të Pjetër Nrecajt

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me burgim të përjetshëm Pjetër Nrecaj, për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

RrGK thekson se para vrasjes së bashkëshortes dhe vajzës së tij, Nrecaj kishte ushtruar vazhdimisht dhunë ndaj ish bashkëshortes së tij, siç raportohet në polici.


“Pas vendimit të Gjykatës Themelore me vetëm 24 vjet burgim, aktivistët e të drejtave të grave dhe disa qytetarë shprehën shqetësim përmes medias dhe medias sociale lidhur me dënimin e lehtë, të cilin ata nuk e konsideronin të duhur marrë parasysh këto rrethana rënduese. Këto reagime mundësuan një seri protestash rreth Kosovës, gjatë së cilave qindra burra, gra dhe të rinj e të reja u ngritën në zemërim lidhur me rastin, duke kërkuar drejtësi”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecaj i cili vrau bashkëshorten dhe vajzën
Lexo po ashtu Burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecaj i cili vrau bashkëshorten dhe vajzën

RrGK beson se ky vendim dërgon një mesazh të fortë dhe të rëndësishëm për personat që do të konsideronin ushtrimin e dhunës ndaj grave.

“Është një shenjë se kriminelët më në fund po marrin drejtësinë që ata meritojnë”, tha Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGK.

Ndryshe, më 19 nëntor 2018, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte dënuar Nrecajn me vetëm 24 vite burgim.

Por, sot Gjykata e Apelit njoftoi se pas ankesave e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të datës 19.11.2018.

“Veprimet e të akuzuarit Pjetër Nrecaj janë ri-cilësuar si ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës’, dhe ndaj tij është shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/