Rrethimi i Shkodrës dhe vrasja e Hasan Riza Pashës!


Nga: Ali Hasani
Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, 1912-1913, është lufta më e vështirë e popullit shqiptarë për mbrojtjen e tërësisë tokësore, si edhe një faqe e lavdishme e historisë së Shqipërisë. Ajo ka qenë tërësisht një luftë moderne e mirë organizuar, që për nga kohëzgjatja në një rrethim gjashtëmujor serbo-malazez, përbën rastin më unikal të qëndresës heroike të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike. Por, për fat të keq, për këtë ngjarje historike është shkruar shumë pak në tekstet bazë të Historisë së Shqipërisë, në të dy botimet akademike, si më 1965 edhe në atë të vitit 2002. Do të thosha se në një farë mënyre, për mënyrën e zhvillimit, për intensitetin, numrin e viktimave dhe rolin që luajti në fatin e shqiptarëve, historiografia dhe bota akademike shqiptare i ka një “borxh” kësaj ngjarjeje historike.
Lexo po ashtu:
- Vlerësimet e shqiptarëve për Hasan Riza Pashën
- Kurthi i Esat Pashë Toptanit për ta vrarë Hasan Riza Pashën dhe dorëzimi i Shkodrës malazezëve
- Ditari që përmbys gjithçka mbi Luftën e Shkodrës: Esat Pasha ishte mbrojtësi i vërtetë i Shkodrës!?
- Esat pashë Toptani nuk ua shiti Shkodrën malazezëve!
- Mit’hat Frashëri për jetën, karakterin dhe veprimet e errëta të Esatit - djalit më të fortë të Toptanëve
- Në Stamboll, Preng Pasha, Gani dhe Esat Toptani, qisnin pushkë pa nda, deheshin e bënin zhurmë duke e bezdisur edhe Sulltanin
Ne duhet t’u jemi mirënjohës disa autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët, më mirë se historianët “zyrtarë”, kanë hedhur dritë, kanë shkruar ditarë dhe vepra të mira për këtë luftë, tek të cilët jemi mbështetur në hartimin e këtij shkrimi si: Edith Durham në “Brenga e Ballkanit”; Zambuar, “Rrethimi i Shkodrës” e “Rrethimi i Shkodrës”, Gino Berri, po me një libër për rrethimin Shkodrës e veçanërisht një vepër më e plotë, për mbrojtjen e Shkodrës, nga ish-ushtaraku vlonjat, Përparim Rexhepi.
Rrethimi i Shkodrës ka filluar më 20 tetor 1912 dhe ka përfunduar më 23 prill 1913. Por, për ta njohur mirë këtë ngjarje duhet parë kuadri historik i kohës: Kryengritjet e përgjithshme të popullit shqiptar, kundër Turqisë dhe xhonturqve në vitet 1910-1912, janë pararendëset e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 nëntor 1912, nga Plaku i Vlorës, Ismail Qemali. Ushtria turke kishte marrë goditje të rëndë nga forcat kryengritëse shqiptare. Nga ana tjetër, edhe shtetet e tjera të Ballkanit i kishin shpallur luftë Turqisë. Ishte rritur tensioni në Ballkan e më gjerë, pra kishte nisur Lufta Ballkanike. Serbia e mbështetur nga Rusia, u bë iniciatore e një aleance të re ballkanike kundër Turqisë.
Në pranverë të 1912, u arrit marrëveshja serbo-bullgare në të cilën hynë në aleancë edhe Mali i Zi e Greqia. Aleanca u quajt ”anti-turke”, por për Shqipërinë dhe shqiptarët ajo ishte një plan i ri sulmi, pushtimi dhe copëtimi. Këta “aleatë” nuk vinin si çlirimtarë te ne, por si pushtues. Ushtria serbe pushtoi Luginën e Vardarit, Sanxhakun, Novi-Pazarin, Rrafshin e Dukagjinit dhe iu drejtua Adriatikut. Grekët pushtuan Himarën dhe arritën në Qafë të Llogarasë. Ndërkohë, ushtria malazeze nisi luftimet dhe rrethoi Shkodrën, sikurse po këtë synim kishin Rusia, Austria, Italia, dhe veçanërisht sllavët e jugut, që përpiqeshin të vendosnin pushtetin e tyre deri në Adriatik.
Mbret Nikolla e kushtëzonte ekzistencën e Malit të Zi, me Shkodrën, të cilën e “ëndërronte” si kryeqytetin e shtetit të tij. Ushtria malazeze ndërmori e para sulmin kundër Turqisë, me shpresën se do të arrinte objektivat e veta para se të reagonin fuqitë e mëdha, e në radhë të parë Austo-Hungaria. Kështu, Mali i Zi, pa ndonjë traditë luftarake, u fut në Shkodër me 30 mijë trupa, më 8 tetor 1912. Lufta filloi si një grotesk gazmor, shoqëruar me një të shtënë me top në drejtim të Shkodrës, nga princi Mirko.
“Kjo e shtënë, sinjalizoi fillimin e luftës së Malit të Zi kundër Turqisë, por edhe atë të Luftës së parë Ballkanike”. Brenda javës, armatat e ushtrisë serbe dhe të Malit të Zi, në “sinkron“ të plotë, filluan të pushtojnë tokat e Shqipërisë së Veriut, me pikësynim Shkodrën. Në krahun e ushtrisë malazeze, u vendosën edhe mbi 3 000 malësorë shqiptarë, të blerë apo të gënjyer, që Mali i Zi nuk i ka njohur asnjëherë si aleat në luftën kundër ushtrisë turke.
Në këtë situatë të rëndë pushtimi, u ngritën në këmbë shqiptarët nga e gjithë Shqipëria, për të shpëtuar ekzistencën e Atdheut të tyre dhe armët i drejtuan kundër pushtuesve të rinj. Nga burime serbe dhe turke, në mbrojtjen e Shkodrës kanë marrë pjesë 24 mijë forca të Korpusit turk, nën komandën e Hasan Riza Pashës të dislokuara në pesë rajone: Rajoni Shtoj, Bardhaj, Berdicë, Tarabosh, Tepe. Në ndihmë të tij, nën drejtimin e Esat Pashës, rreth qytetit ishin vendosur më shumë se 15 mijë mbrojtës rezervistë shqiptarë, të ardhur nga rrethet Lezhë, Dibër, Mirditë, Krujë, Tiranë, Shijak, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Peqin, Pukë dhe Shkodër (pesë mijë vetë). Shtabi turk kishte parashikuar çdo gjë që duhej për mbrojtjen e Shkodrës.
Shqipëria ishte në pragun e agimit të ri, kur mbi Shkodër u derdhën mijëra predha e tonelata me hekur e zjarr. Në dhjetor 1912 dhe janar 1913 mali i Taraboshit, kodrat e Beltojës, Berdicës dhe Bardhajve u bënë arenë luftimesh të përgjakshme që deri në atë kohë nuk i kishte njohur historia. Në këtë teatër lufte për të mbështetur Malin e Zi, u fut në lojë Serbia, që me 10 nëntor 1912, urdhëroi dy divizionet, “Shumadija” me efektiv 6 500 trupa dhe “Drina 2” me efektiv 9 219 trupa, të niseshin njëri nga Prizreni për në Durrës dhe tjetri nga Gjakova për në Shëngjin, për të pushtuar Shqipërinë.
Të dyja njësitë serbe, rrugës, u ndeshën në qëndresën e shqiptarëve. Ndërkohë, trupat malazeze të komanduara nga mbreti Nikollë, kishin shpallur se do të luftonin deri në fishekun e fundit për të marrë Shkodrën. Por, megjithëse në mbështetjen e tyre ata kishin shumë forca serbe, dështuan sa herë që e provuan. Kjo ndodhte, sepse trupat turko-shqiptare ishin më të përgatitura në fushën ushtarake, të armatimit e fortifikimit si edhe ishin më qëndrestarë.
Qindra qytetarë shkodranë, burra dhe gra punonin për prapavijën, në hapjen e llogoreve, vendosjen e telave me gjemba, mbledhjen e rezervave ushqimore dhe lëndëve djegëse, transportin e materialeve luftarake si dhe në hapjen e rrugëve të reja. Të tjerët merreshin me transportin dhe mjekimin e të plagosurve, qepjen e veshjeve për luftëtarët e lirisë etj. Komanda turko-shqiptare, kishte vendosur raporte të mira me parinë e qytetit. Shkodra u mbrojt në dy vija mbrojtëse: njëra, nga shpatet e Taraboshit, kodrat në Berdicë dhe Vukatanë, kurse e dyta nga kodrat e Tepes, Bardhajt, bregu i Kirit, Golem e Dobraç etj. Artileria ishte vendosur në Tarabosh, Berdicë, Tepe, Bardhaj dhe Shtoj. Kyçi i mbrojtjes së Shkodrës është vlerësuar mali i Taraboshit. Kush mbronte Taraboshin, kishte në dorë Shkodrën.
Luftimet për mbrojtjen e saj ishin të lidhura me fortifikime të tipit fushor me vija e hendeklidhje, çka i dha siguri qëndresës së qytetit. Zonat më të sigurta ishin: Shtoji, Bardhaj, Taraboshi, Tepja dhe Berdica. Garnizoni i Shkodrës i shte organizuar mirë edhe sistemi i ndërlidhjes, nga centrali kryesorë në kala, deri tek ato të rajoneve të mbrojtjes. Qëndrestarët e Shkodrës ishin furnizuar me armatim, ushqime e veshmbathje për një kohë të caktuar, por që shumë mungesa u plotësuan me kontributin e shkodranëve, të cilët ndanë edhe kafshatën e fundit me mbrojtësit e tyre gjatë rrethimit.
Më 3 dhjetor midis ushtrisë turko-shqiptare dhe aleatëve ballkanikë u bë një armëpushim. Mbret Nikolla urdhëroi ndërprerjen e luftimeve, por Hasan Riza Pasha u përgjigj: “Tashmë Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhra nga një komandë turke dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet, kundër malazezëve”. Për të shpëtuar Shqipërinë dhe siguruar independencën e saj, duhet të mbrohej Shkodra. Prandaj, gjenerali turk, në atë kohë deklaroi: “Shkodra mundë të rezistojë edhe për gjashtë muaj të tjerë”.
Më 5 dhjetor 1912, malazezët, ndërmorën sulmin në shkallë të gjerë nga Bardhaj deri në breg të liqenit. Në errësirën e natës u zhvilluan përleshje trup me trup, me thika bajoneta, fusha e luftimit u bë tym e flakë nga zbrazja e pushkëve, mitralozave dhe topave që godisnin pa pushim. Kur zbardhi dita, në fushën e betejës kishin mbetur shumë malazezë të vrarë dhe të varur në tela, llogore dhe transhe. Edhe në këtë rast, fatin e luftimeve e vendosi artileria turke, që sulmoi me breshëri shrapnelësh në gjithë pozicionet.
Hasan Riza Pasha e fitoi bastin sepse Shkodra qëndroi heroikisht në një rrethim më se të plotë. Më 9 dhjetor ai i sulmoi papritur serbët në Shirokë, Bushat, Bardhaj, e më pas në Oblikë. Më 16 dhjetor rimori Pistullin, Paqramin, Hajmelin, Shelqetin. Më 29 dhjetor u bë sulmi i fundit për 1912 në të gjitha frontet e luftimit, ku shqiptarët u dalluan si mjeshtër të pathyeshëm në kushtet e rrethimit të plotë. Giani B. Macario shkruan: ”Qyteti i Shkodrës u mbrojt kryesisht nga shqiptarët”. Prandaj, Hasan Riza Pasha duke parë se Shkodra për Turqinë ishte e humbur, deklaroi se krahas flamurit turk, duhej ngritur edhe flamuri shqiptar në kala, për të lidhur Shkodrën me qeverinë e Vlorës, duke i vënë serbo-malazezët para një fakti të kryer.
Njëkohësisht, Valiu mori edhe mbështetjen e malësorëve shqiptarë, të cilët, mbasi e kishin kuptuar “lojën” e Malit të Zi, deklaruan se do të luftonin për liri e pavarësi dhe jo për Malin e Zi, si dhe u njoftua edhe Vjena, për planin e tij. Më 31 janar ishte caktuar dita e ngritjes së flamurit shqiptar mbi Rozafë, si edhe sulmi i forcave të Garnizonit të Shkodrës mbi ato serbo-malazeze. Por, një ditë më parë, pas takimit të Valiut dhe krye-ipeshkvit të Shkodrës për njohjen e këtij plani, për fat të keq, Hasan Riza Pashën e vranë në derën e shtëpisë së tij.
Më 30 janar 1913 Hasan Rizai dhe Esat Pasha diskutuan gjatë në shtëpinë e Toptanasit për çështjet e ditës. Në orën 18:45 teksa po kthehej i vetëm, pa roje dhe pa adjutant u nis për në shtëpinë përballë. Në errësirën e natës, i dalin përpara tre të panjohur. Dy prej tyre e qëllojnë me revolver. Rojet dhe oficerët, që dolën me vrull nga të dyja shtëpitë, e gjeten komandantin të shtrirë në rrugë dhe të mbytur në gjak. Hasan Riza Pasha dha shpirt disa orë më vonë.
Përpara vdekjes, ai i kërkoi Esat Pashës që të kujdesej për t’ia dërguar familjen pas lufte në Stamboll, ndërsa oficerëve të tij, të grumbulluar përreth shtratit, iu kërkoi që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë të mos e dorëzojnë qytetin. Gjenerali u varros të nesërmen në Xhaminë e Parrucës në prani të popullsisë së gjithë Shkodrës së rrethuar. Xhonturqit bashkëpunuan me Esat Pashën, ndërsa ky i fundit pranoi, i tunduar nga fakti, që pas vrasjes së Hasan Riza pashës, komanda e qytetit t’i mbetej atij.
Ministri turk i luftës, Mehmet Pasha, kur mori vesh lajmin e vrasjes së Hasan R. Begut tha: “Na e vranë në të pabesë një hero të madh”. Mis Durham ka shkruar: “Osman Bali dhe Mehmet Kavaja, dy shërbëtorë të Esat Pashës, lavdëroheshin më vonë për veprën që kishin bërë”. 13 vjet më vonë, më 8 shtator 1926, Osman Bali do të mbetej i vrarë nga Lam Leka dhe Myslym Peza. Kishte arritur të bëhej major i Gradës Kombëtare. Nga të gjitha burimet e ndryshme arkivore dhe historike, eliminimi i Hasan Riza Pashës është cilësuar si vrasje e organizuar.
Pas tij, komandën e Garnizonit të Shkodrës e mori Esat Pasha, i cili nuk e njohu shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe qeverinë e Ismail Qemalit si dhe nuk e vazhdoi qëndresën kundër serbo-malazezëve. Më 2 shkurt 1913, me anë të një letre dërguar mbret Nikollës, ai kërkoi armëpushim, ndërkohë që pala malazeze zgjodhi alternativën e përdorimit të forcës. Por, edhe në këtë rast, sulmi i Malit të Zi dhe Serbisë mbi Berdicë dhe Bardhaj përfundoi në një kasaphanë të vërtetë mbasi ata u goditën rëndë duke lënë në fushën e betejës mbi 2 500 ushtarë.
Më 10 prill 1913, kryeministri serb Pashiq urdhëroi forcat serbe të linin rrethimin e Shkodrës. Kështu, pas gjashtë muajsh të një mbrojtjeje heroike të Shkodrës, u tha se si rezultat “i mbarimit të ushqimit” për njësitë turke dhe popullsinë civile, Esat Pasha i kërkoi komandës malazeze për të vendosur kushtet e dorëzimit të kalasë. Në vend që kodrën t’ia dorëzonte Shqipërisë, ia shiti Serbisë, duke kryer një nga aktet më të turpshëm dhe më të paskrupullt tradhtie ndaj kombit të vetë. Garnizoni i Shkodrës duhet dhe mund të kishte vazhduar qëndresën e tij edhe tri javë të tjera, sepse faktori ndërkombëtar, e veçanërisht Austria-Hungaria, e kishin dhënë verdiktin e vet, që Shkodra t’i mbetej shtetit shqiptar. Madje, ata, kishin dërguar edhe Flotën e tyre Luftarake në brigjet e Adriatikut.
Më 23 prill i nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të Shkodrës, mbret Nikollës. Pra, Esat Pasha u tërhoq, Shkodra u tradhtua, ju shit armikut. Me gjithë vështirësitë e rrethimit, bombardimit, mungesës së ushqimeve e ilaçeve, shkodranët asnjëherë nuk pranuan që të dorëzohej qyteti i tyre. Ndërkohë, Esat Pasha e harroi shumë shpejt amanetin e fundit të Hasan Riza Pashës. Ai nuk mori në konsideratë qëndrimin e parisë shkodrane për të mos e dorëzuar qytetin, e në kundërshtim me to, firmosi dorëzimin e Shkodrës te malazezët. Pavarësisht dritëhijeve të Esat Pashës, dorëzimi i Shkodrës nga ana e tij, është quajtur atentat kundër pavarësisë së Shqipërisë.
Lajmi i pushtimit të Shkodrës në Serbi ishte pritur me hare dhe ekstazë. Por, s’kaloi gjatë, si rezultat i presionit ndërkombëtar, më 4 maj, mbret Nikolla deklaroi: “Duhet të tërhiqemi”, e me 9 maj ai nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të Shkodrës, sipas së cilës ajo i kaloi për administrim Komisionit Ushtarak Ndërkombëtar. Kjo u finalizua më 14 maj 1913 me largimin e trupave malazeze nga rrethimi i Shkodrës që në ikje dogjën dhe plaçkitën gjysmën e pazarit të Shkodrës, morën arkivat e qytetit dhe grabitën koleksionin e armëve në kala. Ata kishin marrë urdhër të tërhiqeshin. Ndaj, disa ditë para largimit vendosën të digjnin tregun e qytetit.
Pas një viti, administrim ndërkombëtarë, qyteti veriorë u bashkua me Shqipërinë e Pavarur. Mbrojtja e rrethimi i Shkodrës, për historiografinë shqiptare, letërsinë, artet e më gjerë, do të jenë një pikë e fortë referimi dhe frymëzimi për të gjithë ne. Ato përbëjnë një ngjarje kulmore në historinë e Shqipërisë drejt afirmimit si komb e si shtet. Edhe Hasan Riza Pasha mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për shqiptarët. Atë Gjergj Fishta për këtë rast ka thënë: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve ... Ai meriton të kujtohet baras me heronjtë e kombit shqiptarë”. Mirënjohje mbrojtësve të Shkodrës! /Memorie.al/





































