eksperti-banner

Gjatë luftës së përgjakshme për paralelen 38 të meridianit jug-lindor, diplomacia botërore njohu një stad të ri zhvillimi që kish të bënte jo vetëm me konfliktin, por edhe me pasojat e saj. Kërdia e madhe e gjakderdhjes së armatosur që futi indirekt në luftë SHBA-të dhe Evropën Perëndimore në një anë, dhe Bashkimin Sovjetik e Kinën komuniste nga ana tjetër, solli për pasojë ndarjen e Koresë në dy shtete me sisteme të ndryshme politike, shoqërore, ekonomike etj. Përpara se armët të heshtnin, gjenerali i forcave ushtarake jugore Paik Sun yup, një ndër shqetësimet më të mëdha që paraqiti me rastin e fillimit të bisedimeve për armëpushimin gjatë vitit 1952 ishte frika nga ndarja e shtetit dhe e kombit. Ai tha se ishin faktori ekonomik, faktori kulturor dhe faktori kombëtar ata që do të pësonim më së shumti, nga copëtimi i gadishullit korean. Edhe ashtu në të vërtetë edhe ndodhi. Të dyja Koretë janë një popull, një gjuhë dhe një krijim historik mijëravjeçarë, por u ndanë nga bindjet politike të fuqive të mëdha.

Këto fusha të shqyrtimit, ishin edhe argumentet kryesore që kancelari gjerman Helmut Kohl përdori në fjalimin e tij historik përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së në pranverën e vitit 1989 me rastin e kërkesës së Bon-it zyrtar për bashkimin e pjesës lindore me shtetin federal gjerman. Në rastin e Gjermanisë, ato u treguan shumë të suksesshme, saqë këto nocione në kulturën politike të Berlinit zyrtarë sot, janë vlera nga më të çmuarat, që cilësohen si visare të mendimit politik nën masa të rrepta të presionit, por që nuk rekomandohen për përdorim në ndonjë vend tjetër, pasi që supozohet se do të prishen shumë shtete e do të forcohen disa të tjera.


Tashmë të dëshmuara si teori zyrtare politike dhe diplomatike, por edhe në dritën e re të trandjeve të faktorit ndërkombëtar që po kërkon me çdo kusht bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, këta tre faktorë duhet të zbatohen edhe në rastin e kombit shqiptar dhe kërkesës së mundshme për bashkimin e trungut tonë etnik të ndarë në gjashtë shtete të ndryshme. Trajtimi i tyre si më poshtë duhet të shqyrtohet nga qeveritë e dy shteteve shqiptare, si dhe partitë dhe organizatat politike shqiptare në vendet ku kombi ynë nuk është shumicë.

- Faktori ekonomik -

Qysh prej epokave të parahistorinë e hershme të njerëzimit, shoqëritë dhe qytetërimet e njerëzve, në të mirë të përmirësimet të jetës së tyre, ngritjes së kapacitetit, shoqëror, ekonomik, tregtar dhe kulturor, i kanë vështruar me syrin e dashamirësisë arritjet e tyre në sferën ekonomike. Zhvillimi i kësaj fushe është nxitur me kalimin e kohës dhe me periudhën e industrializimit që filloi në Angli në fund të shekullit të XVIII, duke u bërë faktori më i rëndësishëm i një organizimi vetëmohues dhe të pavarur si për individin ashtu edhe për vet grupet shoqërore dhe shtetet e ndryshme.

Ky faktor bëhet edhe më domethënës tani në epokën e re të pas modernizimit i karakterizuar nga globalizmi i shumë fijeve të veprimtarisë njerëzore që vetëm sa e kanë rritur nevojën e lidhjes më për afër të tregjeve të vogla, në mënyrë që të munden t’u bëjnë ballë tregjeve të mëdha globale.

Më konkretisht, sot ne shqiptarët fuqinë tonë ekonomike e kemi të ndarë në disa divizione fitimprurëse por edhe brenda kufijve të disa shteteve. Sikur një treg i përbashkët i një shteti të vetëm shqiptar me gjashtë milion banorë të ekzistonte, atëherë kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike, me çdo kusht duke shmangur bile sikur murtajën energjinë bërthamore, të asaj që është sot Shqipëria politike, bashkuar me rezervat e shumta të thëngjillit në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore, si dhe me pozitën shumë të favorshme të trojeve shqiptare në Mal të Zi për prodhimin e rrymës nga hidrocentralet, dhe nga energjia e ripertritshe si psh ajo e erës, diellit dhe e detit, do ta bënin Shqipërinë një vend të respektuar në të gjitha bursat e botës.

Vetëm sa për ilustrim, ngritja e shpejtë e kapacitetit politik të Rusisë kohëve të fundit, është bërë pikërisht nga këto arsye – gjetja e burimeve të energjisë në viset e largëta, tundrat dhe stepat e Siberisë e gjetiu. Duke ditur se nevojat e Evropës për rrymë janë gjithmonë në rritje, saqë Britania e Madhe, Franca e Gjermania po planifikojnë të ngrisin edhe reaktorë bërthamorë për të përmbushur nevojat e tyre, një treg joshës dhe shumë i këndshëm në këtë komoditet të shumëkërkuar, do ti ndihmonte shumë pozitës së Shqipërisë që përfshin të gjithë shqiptarët.

Një faktor tjetër është po ashtu edhe pozita e volitshme strategjike e trojeve shqiptare në Ballkan. Rrugë të shumta transiti mallrash, tregjesh dhe njerëzish kapërcejnë vendin tonë me rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin gjeopolitik të EuroAzisë. Sa për të përmendur rrugën Egnatia, që lidh Durrësin me Stambollin dhe matanë Bosforit me Afrikën dhe Azinë, grykën e Kaçanikut që lidh fushën e Vardarit me pellgun e Ibrit, rrugën e ‘Akropolisit’ që lidh Selanikun në faqen e Egjeut me Mynihun në zemër të Evropës, dhe portin e Tivarit që lidh Serbinë, Hungarinë, Moldavinë dhe Rumaninë në rrugën më të shkurt me Adriatikun.

Shtoja kësaj edhe potencialin prodhues veçanërisht për të lashtat drithërat, dhe bimët foragjere, si edhe pozitën akoma të pa njohur të kapitalit turistik që ofrojnë detrat, malet dhe trashëgimia jonë e lashtë kulturore, pastaj, një fuqi punëtore të re dhe në nevojë për punë, dhe një kapacitet blerës prej gjashtë milion qytetarësh brenda një shteti, pozita ekonomike e shqiptarëve si komb, dhe e Shqipërisë si shtet është jo vetëm e garantuar, por edhe për lakmi.

- Faktori kulturor -

Që prej ndarjes së trungut shqiptar me mbarimin e Luftës së Dytë Ballkanike me 1912, kur Turqia u mund keqazi nga aleanca Beograd-Sofje-Athinë-Cetinjë, brumi ynë kombëtar ka pësuar shkarje të ndryshme. Nga sferat më të goditura ka qenë kultura jonë kombëtare e cila me shumë vështirësi filloi të ngritej qysh me filizat embrionike të saj nga koha e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Gjon Buzukut etj. Ngufatja e kësaj kulture për dekada e shekuj me radhë, nga Perandoria Otomane, bëri që ajo të shpërthente me lavdinë dhe dëlirësinë më të hyjshme në epokën e Rilindjes sonë të madhërishme kombëtare, që është edhe strumbullari i gjenezës sonë kulturore, civilizuese, gjuhësore dhe emancipuese. Por hyrja e Kosovës dhe zonave të tjera shqiptare me dhunë nën mbretërinë e Karagjorgjeviqëve, si dhe nënshtrimi i përgjakshëm i Çamërisë nga falangat Greke, këputen perin e fijeve të kulturës që kishte filluar ti përhapë Rilindja jonë Kombëtare.

Qysh nga ajo kohë kultura shqiptare ka marrë kahe të ndryshme zhvillimi, e ndihmuar nga mbyllja e kufijve të Shqipërisë gjatë sundimit borgjez dhe flagrant të Ahmet Zogut, si dhe vërja e klonit dhe telave me gjemba në kohën e Enver Hoxhës. Kështu pra për shekullin e fundit, kultura jonë është zhvilluar dhe ndërtuar në dy trase të ndryshme. E para ajo që dominonte në RPS të Shqipërisë, e bazuar në parullën; “Miq me BRSS-në” dhe më vonë “Miq me Kinën Popullore” e pastaj kah fundi i regjimit “Gjithçka me forcat tona”, solli zhveshjen e shqiptarëve nga atdhedashuria, copëtimin e familjes dhe organikës së saj të gjerë, si dhe flakjen e pa hijshme të vlerave të mirëfillta kombëtare, farkuar me shekuj të tërë, vetëm sepse duhej të ndërtohej “njeriu i ri socialist”. Në territoret shqiptare në Jugosllavi ndërkaq, “bashkimi e vëllazërimi” depërtonin aq thellë në mentalitetin e njerëzve, saqë sipas asaj logjike më të afërm ose barabartë të afërmit e tu, duhej të ndiheshe me një slloven nga Maribori, apo një maqedonas nga Strumica.

Këto periudha çartaçefe, kanë lënë shputën e vet të pistë në mentalitetin e njerëzve që jetojnë në të dyja anët e Drinit, dhe fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite, përkundër faktit se mundësitë e bashkëpunimit janë më të theksuara, akoma në disa rrethe e shohim njëri tjetrin ndryshe. Në Tiranë ndodh shpesh që shqiptarët nga Kosova, apo Maqedonia dhe Lugina e Preshevës të identifikohen si ‘Malokë’, ndërsa në Prishtinë shqiptarët nga Shqipëria shpesh identifikohen si ‘Rebelë’. Në meset profesioniste por edhe amatore artistike, prodhimtaria kulturore e njërës anë të Drinit, shpesh shpërfillet nga ana tjetër, edhe pse neve për shembull ua kemi hapur me shumë krejni dyert filmave të pacipë dhe të degjeneruar nga Amerika Latine që nuk kanë as edhe një gjë të përafërt të bëjnë me vetitë kulturore tonat.

Ndryshimi i mentalitetit ndërveprues dhe bashkëpunues, do të bënte që ne të ofrohemi shumë më shumë me njëri tjetrin dhe të ndihemi pjesë e njëri tjetrit. Si nën-produkt i kulturës duhet marrë edhe sportin, që vazhdon të jetë pas fuqisë ekonomike, asaj ushtarake dhe fuqisë intelektuale, fusha më e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e një vendi. Shih për këtë, bashkimi i ligave të futbollit, basketbollit, volejbollit, hendbollit, por edhe i garave individuale nën një flamur, jo vetëm që do të rriste cilësinë e përfaqësimit, por edhe do të nxiste daljen e talenteve me nam ndërkombëtarë, pikërisht për shkak të konkurrencës.

- Faktori kombëtar -

Shqipëtarët poashtu po vuajnë nga mënxyrat e vet Shqipëtarëve. Në dy dekadat e fundit, të gjith jemi dëshmitarë të një flliçje të pa shoqe, por edhe të pa motiv të gjuhës sonë të bukur Shqipe, i vetmi instrument që e kemi si unikale mbi këtë botë. Politikan të pa ndershëm, dhe gazetarë prej shpurdhjaku tekanjoz, duke dashur të tregojnë se kan filluar të ndjekin ndonjë kurs privat të gjuhëve të huaja, me fodullëk të pa kufishëm, gjakosin gjuhën e tyre duke futur barbarizma të pa kuptimta dhe të pa nevojshme në gjuhën tonë. Disa marifetllëqe të tilla jan aq të pështira saqë kur përdorën në Shqip, tingëllojnë sikur po të gerrvishtin shqisat e dëgjimit.

Të kuptohemi drejt, un jam vet shkenctarë dhe nuk kam sesi të mohoj hyrjen ne Shqip të fjalëve të teknologjisë, atyre që nuk i ka gjuha jonë, apo fjale edhe të botës post moderne që po e jetojmë. Por revoltohem kur fjalën e bukur Shqipe që ekziston, e nëpërkëmbin, dhe e flakin si të pa dobishme, në të mirë të një fjale të një gjuhe tjetër.

Çështje tjetër po kaq me rëndësi është akti gjysmë i kryer i asimilimit. Trupi politik shqiptar, duhet që të luftojë me këmbëngulësi që të shpëtoj Luginën e Preshevës, dhe rajonin shqiptar në Mal të Zi nga kjo dukuri. Jemi dëshmitarë të kësaj situate shëmtuese të ndodh çdo ditë në këto treva shqiptare. Kështu për shembull, në komunën e Mjaltëzës (Medvegja) trupi etnik shqiptar tashmë numërohet me shifra mijëshe, ndërsa në, Manastir, Tivar, Plavë. Guci, Rozhajë e Kollashin, qytetarët që dikur bashkë me Isuf Xhelilin, Jakup Ferrin e Ali Pashë Dragën luftonin me kësulën e bardhë dhe nën flamurin e Skënderbeut, sot u kanë vënë mbiemrave të tyre prapashtesën ‘viq’ dhe as të përshëndesin nuk dinë shqip. Shtoja pastaj kësaj edhe emigracionin, që gati sa e ka shkretuar Malësinë kryelartë, punët vetëm sa koklaviten tmerrësisht, dhe nevoja për veprim bëhet e menjëhershme.

Kështu pra detyrë e ngutshme për ne del fakti se po nuk vepruam shpejt, edhe këto troje do ta pësojnë sikur edhe Çamëria ku as nuk flitet as nuk jetohet shqip pikërisht si pasojë e asimilimit me zjarr e hekur.

Në këtë kontest, edhe fillimi i menjëhershëm i kthimit të shqiptarëve me dhunë të dëbuar nga veriu i Mitrovicës, do ta bënte trupin etnik shqiptar, më koheziv, dhe më të qëndrueshëm. Kthimi vetëm i refugjatëve serbë nëpër Kosovë, krijon ishuj të imagjinuar kombëtar për këtë pakicë në trojet tona, ndërsa kthimi i shqiptarëve drejt veriut, vetëm sa do ta bënte rrugë me dy drejtime këtë proces që është politizuar kaq shumë në Kosovë.

Një nga rreziqet më të mëdha që gjenerali korean i lartpërmendur kishte parashikuar ta godiste kombin e tij, ishte pikërisht fakti se të qenit në dy shtete do të krijonte edhe identifikim me shtetin përkatës nga ana e masave të gjëra popullore. Kjo llakërdi po ndodh gjithandej mes shqiptarësh, dhe po pushton mendimin e shëndoshë njerëzor thuajse pa u vënë re. Sot po ti bësh pesë apo gjashtë shqiptarë bashkë ata do të identifikohen me rajonalizma më shumë se me asgjë tjetër. Njëri të thotë jam shqiptar, tjetri kosovar, pastaj i radhës të thotë jam nga Malësia, një tjetër nga Pollogu, e dy të fundit, njëri thotë Luginas, e tjetri nga diaspora.

Këto krahinarizma, që për një komb të vogël dhe kompakt janë mëse të mbitheksuara, qe dy vjet kanë marrë një kah tjetër. Ky kah shihet në gjuhën e politikanëve tanë që tashmë identifikohen vetëm me Kosovën si shtet, dhe nuk para përmendin qenësinë tonë kombëtare shqiptare. Ky është një rrezik shumë i madh që po i kanoset si i çartur shqiptarizmës. Ne jemi shumë pak që të mendojmë në krahina, dhe një gjë e tillë nuk përputhet as edhe me trendet globale të zhvillimit, sepse siç jemi dëshmitarë Evropa po bashkon popuj miq e armiq në një konstitucion, ndërsa Afrika dhe Azia po ndjekin me hov eksperimentin e kontinentit të vjetër. Pra me fjalë të tjera, derisa Evropa po bashkohet, si guxojmë ne të mbesim të ndarë?

Për të ndrequr këtë çoroditje të historisë, politika, bota e artit, ajo e sportit, njerëzit intelektualë, bizneset si dhe njerëzit e vullnetit të mirë, duhet të mendojnë jashtë prizmit të rajonalizmave, dhe ndasive dialektike, duke kontribuar gjithkush në bërjen e brumit që do të ngjiz shtetin e përbashkët të shqiptarëve. Të mos e marrim emrin shqipëtar si për turp, ashtu siç mendohej dikur në Shqipërinë e sotme politike, sepse njerëzit duhej të ishin proletarë dhe internacionalist, e të mos e marrim emrin e shqiptarit si frikë, ashtu siç ishte dikur fjala në ish Jugosllavi, sepse ‘bashkim vëllazërimi’ nuk e duronte qenien tonë etnike. Ka ardhur koha që të dalim Zot vetes, duke menduar principialisht dhe pragmatisht, për veten, familjen, shoqërinë dhe kombin mbarë. E më së miri do të ishte që këto ndryshime të realizonim duke vënë në jetë pikërisht këshillat e vyera të gjeneralit korean.

- Arritja e qëllimit për bashkim kombëtar -

Me luftë? Kurrsesi! Ka shkuar epoka e gjakderdhjeve Bonaparteske në kontinentin e vjetër. Tani jetojmë në një kohë kur forca e argumentit, dhe forca ekonomike, janë armë po aq të forta sa edhe arsenalet bërthamore të disa vendeve.

Kështu pra në këtë rrafsh, shqiptarët kanë nevojë që t’i hapin sytë drejt të ardhmes së tyre, dhe prosperitetit. E për të arritur këtë qellim pikë së pari duhet filluar me një debat të gjerë politik, institucional, qytetarë, dhe intelektual rreth kësaj çështje, kudo ku ka shqiptarë. Ky debat do tu shpjegonte mbeturinave të nostalgjikëve të kohës së kaluar, se një shtet komb është shumë më i mirë sesa një shtet i imët, siç është rasti me Kosovën për shembull. Po ashtu tu shpjegohet urbanistëve dhe grupeve kafe-llafe se nga bashkimi kombëtar nuk do të rrezikohej askush, sepse nuk do të kishte derdhje të njerëzve në një pjesë të caktuar të vendit, dhe se tashmë jetojmë në kohen kur liria e lëvizjes është pika më e çmuar e lirisë së qytetarit.

Pastaj, del si detyrë e domosdoshme që ti informojmë vendet mike se bashkimi i shqiptarëve do t’u sillte një përfitim të madh atyre dhe gjithë botës. Ndersa më e rëndësishmja është t’i njoftojmë edhe fqinjët tanë se nuk kemi ide gllabërimi territoresh, as nuk ushqejmë ëndrra hartash të vizatuara në mesjetë, por vetëm duam që të përfshijmë brenda gardhit tonë politik, dhe trupit tonë shpirtërorë, trevat ku bashkëkombësit tanë janë autokton, dhe ku prania e tyre është e dukshme dhe në shumicë popullate. Tu shpjegojmë fqinjëve se nga bashkimi i shqiptarëve, edhe vet ata do të keni përfitime të prekshme.

Së pari, një Shqipëri e bashkuar, do të ishte një faktor i stabilitetit politik, dhe madje edhe do të mund të vepronte si garantues i sovranitetit të shteteve të vogla fqinje. Pastaj, një Shqipëri e bashkuar do të ishte ekonomikisht një magnet shumë tërheqës për investitorët e huaj, gjë që do të kontribuonte në krijimin e klimës së besimit nga investitorët ndërkombëtarë, aq të nevojshëm për rajonin. Tjetër, lidhja në një e trupit etnik shqiptar që sipas diskursit politik të John Stoessingerit thotë; “arsyet themelore, janë kauzat për tendenca nacionaliste”, do të hiqte nga harta e shprehjes nacionalizmën shqiptare, dhe do ta shndërronte atë në kulturë pozitive, patriotike atdhedashurie, të pa drejtuar kundër ndonjë populli, grupi apo kombësie tjetër.

Si përfundim, Conti Nikita Petrovich Panin, ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë ka përcaktuar mbase me epifani çështjen e shteteve popuj. Në një delegim mbajtur përpara ushtarakëve të Flotës Baltike të Perandorisë Ruse në nëntor 1799 ai thoshte; aty ku ka një popull, aty duhet të ketë një shtet për të... popujt qetësohen vetëm atëherë kur kanë shtet kudo që ndjejnë praninë e vet”. Një argument më i fortë se ku nuk mendoj se mund të paraqitet kurrkund. Dhe çka është më e mira, vjen nga diplomacia Ruse që vazhdon ti shikoj shqiptarët syshtrembër.

(Autori është pedagog i Shkencave Politike. Shkrimi me disa ndryshime për t’ju përshtatur lexuesit shqiptar, është pjesë nga referati “Shqiptarët në Mijëvjeçarin e ri” mbajtur në Konferencën Shkencore “Evropa Jug-Lindore dhe sfidat e sotme”, që u mbajt nga 1 deri me 4 maj në Universitetin Karoly të Pragës, Çeki)