LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi interesant i ish-zëdhënësit të NATO-s për sulmet ndaj Serbisë: Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm, Serbia duhet ta pranojë këtë

Rrëfimi interesant i ish-zëdhënësit të NATO-s për sulmet ndaj Serbisë: Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm, Serbia duhet ta pranojë këtë

“78 ditët kanë qenë stresuese, por sigurisht që edhe më stresuese ishin për qytetarët e Kosovës që ishin në bodrume dhe të fshehur, dhe që duhej të duronin dhunën. Pra, jeta ishte shumë më e lehtë për mua në Bruksel sesa për të gjithë ju në Kosovë. Mirëpo kjo lidhje me popullin e Kosovës, ishte një moment magjik”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Zëri i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, kthehet në KosovaPress 24 vjet më vonë duke rrëfyer momente nga ajo kohë.

Ai thotë Aleanca ishte e vendosur të ndalonte dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë që po bëheshin atë kohë nga regjimi i Millosheviqit.

“Ishte një vendosmëri, sepse NATO kishte një vit që përpiqej për të bindur presidentin Millosheviq të largonte forcat e tij speciale nga Kosova, të ndalonte fushatën e represionit të popullit shqiptar kosovar dhe të pranonte një zgjidhje paqësore të negociuar, e cila do t’i kthente Kosovës autonominë e saj.

Fatkeqësisht, presidenti Millosheviq nuk ishte i përgatitur të pranonte zgjidhjen diplomatike, ndërkohë dhuna para 24 marsit u rrit ndjeshëm, kishim pasur masakrën e Reçakut në janar, dhe kështu kur NATO filloi fushatën ajrore, kishim ndjenjë keqardhjeje, që na u desh të përdorim forcën, por në të njëjtën kohë ishim të vendosur për t’u siguruar që të ndalojmë dhunën, të ndalojmë shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe nuk patëm një situatë tjetër të tmerrshme si gjenocidi në Srebrenicë, në Bosnje, më 1995. Ne duhej të siguroheshim që të vepronim me vendosmëri dhe të palëkundur”, thotë ai.

24 vjet nga sulmet ndaj caqeve të Serbisë, Konjufca: Populli i Kosovës do t’u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s
Lexo po ashtu 24 vjet nga sulmet ndaj caqeve të Serbisë, Konjufca: Populli i Kosovës do t’u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s

Lufta ajrore e NATO-s me Serbinë kishte zgjatur plot 78 ditë, diçka që nuk ishte pritur edhe nga vet Aleanca.

Shea thotë se kishin shpresuar që fushata ajrore fillimisht të zgjaste 24 orë.

Megjithatë, ai thekson se për NATO-n nuk ishte e rëndësishme kohëzgjatja e operacionit por rezultati që po arrinte, e që ishte fundi i represionit dhe kthimi i popullit të Kosovës në shtëpitë e tyre.

“Jo, sinqerisht, jo. Kur fillon një operacion ushtarak, këto gjëra janë më lehtë për t’u nisur sesa për t’u përfunduar. Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë, sepse sapo të përdorni forcën, krijohet një dinamikë tjetër. Dhe, sigurisht, mendoj se po, në NATO të gjithë shpresonim që fushata ajrore, fillimisht të zgjaste 24 orë, presidenti Millosheviq do të shihte se NATO është e bashkuar dhe e vendosur, se ai nuk mund të fitonte, dhe se opsioni i tij më i mirë ishte të plotësonte kushtet e Komunitetit Ndërkombëtar dhe të kthehej në tryezën e bisedimeve.

Por Millosheviqi ishte një njeri kokëfortë, siç e dini mirë, një njeri shumë cinik, dhe ai vendosi që të luftonte. Ai donte të sfidonte NATO-n, nuk ishte i përgatitur të hiqte dorë, kështu që vazhdoi për 78 ditë, por për NATO-n, ajo që kishte rëndësi nuk ishte kohëzgjatja e operacionit, ishte rezultati që po arrinte, fundi i represionit, për t’i lejuar popullit të Kosovës të kthehej në shtëpitë e veta dhe për t’i lejuar Kosovës të jetonte në paqe dhe liri. Pra, jam i sigurt që nëse do të kishte zgjatur 178 ditë, për sa i përket NATO-s, nuk do të kishte ndryshim”, thekson Shea.

Por cili ishte mësimi që NATO ka marrë nga kjo fushatë e bombardimeve, tregon ish-zëdhënësi i Aleancës.

“Epo, unë mendoj se mësimi është, të mos bëni kërcënime boshe, të veproni të bashkuar, të vendosur, me evropianët dhe amerikanët duke punuar së bashku, dhe të keni objektiva shumë konkretë, që ishte largimi i forcave serbe dhe fundi i represionit, fundi i dhunës dhe krijimi i kushteve që populli i Kosovës të kthehej në shtëpitë e tyre, dhe natyrisht, përfundimisht, siç bënë në vitin 2008, të përcaktonte të ardhmen e vet në mënyrë paqësore, duke pasur një administratë ndërkombëtare e cila mund ta ndihmonte Kosovën pas konfliktit për ta rindërtuar veten…

Por duhet të besosh se ndërhyrja humanitare, pavarësisht nga rreziqet, mund të jetë e suksesshme dhe rreziku i veprimit është gjithmonë më i vogël në këndvështrimin tim, sesa rreziku për të qëndruar mënjanë dhe për të mos bërë asgjë”, thotë Shea.

Jamie Shea ishte zëri i NATO-s gjatë gjithë asaj periudhe të rëndësishme për Kosovën.

Ai u drejtohej mediave nga selia qendrore në Bruksel, po ishte fytyra që populli kosovar tashmë e njihte mjaft mirë.

Zëdhënësi Shea kishte vizituar Kosovën menjëherë pas çlirimit, në qershor të vitit 1999 dhe takimin me qytetarët në Kosovë e vlerëson si një nga momentet më të mira të jetës së tij.

“Për mua ishte një moment shumë domethënës. Dhe padyshim, duke u përshëndetur në atë mënyrë, dhe duke menduar, Zoti im, këta njerëz janë vërtet të lumtur me atë që NATO ishte në gjendje të bënte për t’i ndihmuar ata.

Pra, po, ishte një moment i mrekullueshëm, moment fantastik. Dhe sigurisht që 78 ditët kanë qenë stresuese, por sigurisht që edhe më stresuese ishin për qytetarët e Kosovës që ishin në bodrume dhe të fshehur, dhe që duhej të duronin dhunën.

Pra, jeta ishte shumë më e lehtë për mua në Bruksel sesa për të gjithë ju në Kosovë, e çmoj këtë. Mirëpo kjo lidhje me popullin e Kosovës, ishte një moment magjik. Unë kurrë nuk kam pasur një moment të tillë më herët, dhe nuk do të kem kurrë një moment të tillë, apo që i afrohet kësaj, për pjesën tjetër të jetës sime”, rrëfen Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO-s thotë se Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe sipas tij Serbia do të duhet të pranojë këtë.

Duke komentuar marrëveshjen e 18 marsit në Ohër, Shea thotë se normalizimi i marrëdhënieve do ta bëjë politikisht më të lehtë njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Po, besoj se po (në një të ardhme Serbia do të njoh Kosovën). Dua të them, po zgjat shumë më tepër se sa shpresoja. Dhe vura re se presidenti Vuçiq, në marrëveshjen e arritur në Maqedoninë e Veriut fundjavën e kaluar me kryeministrin Kurti për planin e BE-së për normalizimin, ende nuk është i gatshëm ta njohë (Kosovën).

Natyrisht do të duhet një akt i guximit politik nga lidershipi serb, por pasi të bëhet, besoj se të gjithë në Serbi, të gjithë në Kosovë, dhe në rajon, do ta pranojnë këtë dhe ne do të vazhdojmë tutje… Përsëri, po zgjat më shumë se sa kisha shpresuar, por kjo marrëveshje normalizimi, në aspektin e njohjes së dokumenteve të Kosovës, njohjes së simboleve të Kosovës dhe rritjes së kontakteve e kështu me radhë, mendoj se normalizimi i marrëdhënieve do ta bëjë politikisht më të lehtë për Beogradin ta njohë Kosovën, ndoshta jo sot, por sigurisht nesër”, thotë ai.

Ai shpreson se me marrëveshjen për normalizim, Beogradi do të marrë një qëndrim më bashkëpunues duke mos inkurajuar asnjë lloj dhune në veri të Kosovës.

“Shpresoj që me këtë marrëveshje normalizimi edhe Beogradi të marrë një qëndrim më bashkëpunues, sigurisht jo inkurajuese, duke mos inkurajuar asnjë dhunë në veri, dhe shpresoj me kalimin e kohës që gjithçka të qetësohet dhe njerëzit t’i kthehen jetës normale. Padyshim se populli serb në Kosovë ka një të ardhme për të jetuar një jetë normale, të begatë dhe të lumtur.

Këto probleme të pakicave janë zgjidhur në shumë vende evropiane dhe nuk shoh arsye pse nuk mund të zgjidhen edhe në Kosovë. Pra, po, do të ketë disa incidente kohë pas kohe, të cilat KFOR-i dhe policia janë në gjendje t’i trajtojnë në mënyrë shumë efektive falë Zotit. Por përshtypja ime është luftë, sikur ajo që ndodhi në vitin 1999, nuk do ndodhë në asnjë mënyrë.

KFOR-i – NATO është atje për t’u siguruar që edhe sikur të ishte një mundësi, e cila nuk mendoj se ekziston, trupat ndërkombëtare janë atje për të ruajtur sigurinë dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë. Pra, tani ka vetëm një rrugë, dhe kjo është përpara. Nuk ka kthim prapa, ka vetëm përpara. Pyetja është, sa shpejt mund të ecim përpara”, thotë Shea.

Jamie Shea thotë se krimet serbe të kryera në Kosovë janë të njohura dhe sipas tij Serbia duhet të kuptojnë këtë, dhe të mbajë përgjegjësi, derisa thekson se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet pajtimi.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s kishin lëshuar bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Urdhri ishte dhënë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Sulmet ajrore përfunduan më 9 qershor. /KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori