LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i artistes Kaltrinë Zeneli – si u kthye aktorja e dramave në heroinën e një drame të vërtetë

Rrëfimi i artistes Kaltrinë Zeneli – si u kthye aktorja e dramave në heroinën e një drame të vërtetë
Kaltrinë Zeneli. Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi

Ishte një nga emrat më të spikatur gjatë vitit 2022 – një aktore me shumë role dramatike, por që dramën e vërtetë e përjetoi në muajin nëntor, kur ngriti zërin mbi një nga ato që shënohet si një prej ngjarjeve më famëkeqe të vitit që lamë pas.

Kaltrinë Zeneli, një vajzë e rritur në rrafshin e Dukagjinit e cila prej vitesh ushtron profesioni ne saj si aktore dhe aktiviste e të drejtave të gruas, u kthye në heroinën e popullit, kur denoncoi publikisht përmes publikimit të një videoje, maltretimin e një të moshuare në një qendër private të të moshuarve në Pejë.


Përkundër kërcënimeve të vazhdueshme e telefonatave pa numër, Kaltrina vazhdoi të qëndronte stoike dhe e palëkundur mbi çështjen që ngriti me zërin e saj, e që në vetëm pak orë u kthye në një prej ngjarjeve që tronditi mbarë opinionin shqiptar dhe jo vetëm.

Kaltrinë Zeneli (Foto: Kaltrinë Zeneli/Facebook)

Sot ajo është një e shpërblyer nga Prokuroria Themelore në Pejë me dekoratë mirënjohjeje për guximin e treguar mbi ngritjen e zërit për këtë çështje, duke u bërë frymëzim i shumë njerëzve të tjerë që të bëjnë denoncime të tilla. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin këtë fillim-vit, aktorja Kaltrinë Zeneli tregon 2022-n e saj “të çmendur”, të cilën e përshkruan si një prej viteve më të rënda që ka përjetuar gjer më sot.

E quajtur në publik shpesh si “heroina e kohëve moderne”, Kaltrina premton se do të vazhdojë të çojë përpara çdo kauzë të saj në të mirë të vendit dhe komunitetit.

Telegrafi: Kaltrinë, ka qenë një vit i mbushur me ngjarje në jetën dhe karrierën tuaj. Si do e përshkruaje në pika të shkurtra 2022-n tënde?

Kaltrinë Zeneli: Viti 2022 ka qenë viti më i rëndë deri tash në jetën time, vit i mbushur me shumë sfida për mua, vit në të cilin kam humbur njerëz shumë të dashur për mua, i rëndë edhe në lidhje me shëndetin tim. Vit super sfidues edhe vit i cili më ka mësuar shumë gjëra në jetë edhe që më ka bërë shumë më të fortë e më ka mësuar të vendos kufij edhe mund të them që ky vit ka ndryshuar shumë gjëra brenda Kaltrinës.

Kaltrinë Zeneli (Foto: Artpolis)

Telegrafi: Padyshim që një prej momenteve më të veçuara është denoncimi juaj publik mbi ngjarjen e tmerrshme në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë. Na trego si ndryshoi jeta jote që pas këtij rasti?

Kaltrinë Zeneli: Me thënë të drejtën jo që ka ndryshuar diçka të madhe drastike për mua, unë vazhdoj të punoj edhe të veproj njëjtë siç kam qenë para postimit te videos përpos që tash kam mesazhe më shumë edhe njerëzit po ndjehen të sigurt që të kërkoj kërkojnë ndihmë ose këshilla në lidhje me problemet e tyre që munden me i pas.

Telegrafi: Ju jeni shpallur një heroinë e kohëve moderne për forcën që gjetët për të bërë denoncimin në fjalë. Si jeni ndjerë me vlerësimin që qytetarët kanë dhënë për ju, duke ju quajtur një heroinë?

Kaltrinë Zeneli: Pa dyshim që ndjenja ka qenë shumë e mirë e aq më shumë kur nuk e pret që njerëzit do të reagojnë ashtu dhe do të të quajnë me një emër aq të madh.

Kaltrinë Zeneli – aktorja që denoncoi e rastiti “Orenda” në Pejë (Foto: Kaltrinë Zeneli/Facebook/RTV Dukagjini)

Telegrafi: Ditë më parë ju u shpërblyet edhe me mirënjohje nga Prokuroria Themelore e Pejës, për guximin tuaj dhe humanizmin. Si e pritët ju këtë vlerësim?

Kaltrinë Zeneli: Siç e kam thënë edhe në rrjetet e mia sociale, zakonisht kur njeriu merr mirënjohje, është i lumtur. Unë realisht nuk e di se si po ndihem…Ndoshta vepra të cilën e raportova nuk më lejon ta gëzoj njësoj si do i gëzohesha një mirënjohje tjetër, për ndonjë temë tjetër. Gëzimin ma zbeh edhe fakti që një mirënjohje e tillë po ndahej për herë të parë nga Prokuroria e Shtetit (Pejë). Jo se do më lumturonte fakti që do duhej të ndahen më shumë mirënjohje të tilla, se për tu ndarë një mirënjohje e tillë do duhej të ndodhte një rast i tillë, e unë uroj me gjithë zemër që këso lloj rastesh të mos përsëriten më kurrë, por do më lumturonte nëse njerëzit do gjenin guximin për të raportuar, sepse e dimë mirë që nuk ishte e nuk ka qenë rast i vetëm në shoqërinë tonë.

Telegrafi: Krahas aktivizmit tuaj në shoqërinë civile, ju jeni edhe një aktore. Na trego pak cilat kanë qenë disa nga pikat tuaja më të rëndësishme gjatë vitit në fushën e aktrimit në çfarë jeni duke punuar aktualisht?

Kaltrinë Zeneli: Unë momentalisht bëjë pjesë në trupën rezidente artistike në organizatën joqeveritare ‘Artpolis’, kemi pas shumë angazhime, kemi pas shumë shfaqje ku i kemi shfaqur edhe jashtë vendit, për momentin jemi në pushim për shkak të festave të fundvitit por në janar kthehemi në punë me projekte të reja edhe udhëtime të reja.

Kaltrinë Zeneli me mirënjohjen nga Prokuroria Themelore e Pejës (Foto: Kaltrinë Zeneli/Facebook)

Telegrafi: Mes teatrit dhe filmit, ku i flen më shumë shpirti Kaltrinës si aktore?

Kaltrinë Zeneli: Ndoshta pse më ka rënë më shumë të punoj në teatër edhe e duan më shumë teatrin për shkak se edhe ndjenja është tjetër, publikun e ke afër edhe në fund e merr vlerësimin e tyre me duartrokitjet e tyre e që e kupton që krejt ata muaj gjatë punës që e ke bërë, e ke bërë pikërisht për atë moment. Por pa dyshim që edhe filmi e ka atë magjinë e vet edhe që është vërtet sfidues.

Telegrafi: Keni treguar se jeni një aktiviste në emancipimin dhe ruajtjen e të drejtave të gruas. Na trego pak si e sheh ti gjendjen e gruas në Kosovë, dhe si një aktiviste, çfarë sugjeroni se duhet të bëjmë më tepër?

Kaltrinë Zeneli: Mendoj që për dallim prej viteve të mëhershme jemi dukshëm më mirë, kemi arritur që ta ngremë zërin tonë edhe të i kërkojmë të drejtat tona edhe të bëhemi të zonjat e vetës tonë. Sugjerim kisha mundur me thënë vetëm “Jepju zë nevojave tua”.

Kaltrinë Zeneli (Foto: Kaltrinë Zeneli/Facebook)

Telegrafi: Ju jeni me prejardhje nga rrafshi i Dukagjinit, ku edhe keni kryer shkollimin tuaj fillor dhe të mesëm në Pejë. Na trego pak sa shpesh shkon në vendlindje dhe çfarë domethënia ka Peja për ty?

Kaltrinë Zeneli: Realisht unë jam me prejardhje nga Drenica, fshati Plluzhinë – komuna e Skenderajt, por jam rritur në Banjë të Pejës, ku më pas kam vazhduar shkollimin në Pejë, por unë e përdori edhe si humor, them jam ‘drenicake e shortuar në Pejë’ edhe me cilindo vend që më bie më mirë them “Ah unë e Pejës jam ose ah unë e Drenicës jam” (qesh), të dyja kanë domethënie shumë të madhe për mua, të dyja kanë ndikuar shumë në ndërtimin e imazhit tim karakterit tim e secila më mire se tjetra. Tash mundeni vet me marrë me mend, rrënjë Drenice e e rritur në Pejë.

Telegrafi: Thënia juaj e jetës?

Kaltrinë Zeneli: Vetëm për ty o e sotme jetoj, nuk të kujtoj ty ditë e djeshme e me e humb ditën e sotme, se ti shkove e nuk kthehesh më, nuk lotoj e as nuk ëndërroj për ty se nuk kthehesh më kurrë, ty o ditë e nesërme je e panjohur nuk të jetoj në ëndrra e as nuk ta dhuroj të sotmen pasi që ende nuk ke arritur.

Telegrafi: Për fund, cili do të ishte mesazhi që do t’ju jepnit lexuesve tanë për fillimin e Vitit të Ri 2023?

Kaltrinë Zeneli: Jetojeni jetën sikur ajo është dita juaj e fundit, edhe thuajini vetes që viti 2023 ka me qenë viti juaj edhe vetëm shijojeni. /Telegrafi/

Kaltrinë Zeneli (Foto: Kaltrinë Zeneli/Facebook)

Në trend

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
Xabi Alonso po përgatit një transferim befasues nga Real Madridi

Xabi Alonso po përgatit një transferim befasues nga Real Madridi

Bundesliga
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Takimi i Kurtit me ndihmësekretarin amerikan, O’Brien, deklarata pas takimit dhe çështja e Asociacionit

Takimi i Kurtit me ndihmësekretarin amerikan, O’Brien, deklarata pas takimit dhe çështja e Asociacionit

Lajme
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Kalo në kategori