LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i 24 femrave dhe një mashkulli për dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë

Rrëfimi i 24 femrave dhe një mashkulli për dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë

Në emisionin “PasDite” me Donika Hysenin në RTV Dukagjini, është promovuar libri “Unë jam Anemone”, libër ky i cili përmban rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë.

Organizata “Medica Gjakova” në këtë libër ka bërë përmbledhjen e 25 rrëfimeve nga persona që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.


Këshilltarja juridike Dorina Sahatqija- Pozhegu thotë se nga këto rrëfime 24 janë nga viktima femra ndërsa njëri rrëfim i përket një mashkulli të përdhunuar seksualisht në Kosovë.

“Në “Medica Gjakova” ka shumë burra që i trajtojmë si pasojë e dhunës seksuale gjatë luftës, por vetëm njëri ka mundur të ndajë një rrëfim të tij”.

Këshilluesja psikosociale, Leonita Gojani thotë se serbët nuk kanë zgjedhur gjini apo moshë për viktimat e tyre pasi sipas saj qëllimi ka qenë që të shkaktojnë pasoja sa më afatgjate në popull.

“Ka viktima që janë përdhunuar nga mosha 9 vjeçare deri në 60 vjeçare”.

Të ftuarat po ashtu kanë treguar se një pjesë e këtyre rrëfimeve do të luhen edhe nga aktorët e Teatrit Kombëtar në mënyrë që të largohet sa më shumë stigmatizimi i këtyre të prekurve nga shoqëria.

Libri do të shpërndahet në bibliotekat e qyteteve pasi siç tregojnë autoret ai është donacion dhe nuk është për shitje, por thotë se libraritë e interesuara mund të marrin kopjet e tyre.

Libri në fjalë po ashtu do të jetë edhe në gjuhën angleze./Telegrafi/