LAJMI I FUNDIT:

Romano: NATO nuk ishte e përfshirë në shitjen e raketave antitank në Kosovë

Romano: NATO nuk ishte e përfshirë në shitjen e raketave antitank në Kosovë

Giampiero Romano, gjenerali i lartë dhe shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd, ka bërë të qartë se Aleanca Veriatlantike nuk është përfshirë në shitjen e sistemit të raketave antitank ‘Javelin’ për Kosovën.

Romano theksoi se NATO nuk angazhohet në tregtinë e armëve dhe se çdo transaksion i tillë është nën kompetencën e një shteti të veçantë që ka autorizimin përkatës.


“Dëshiroj të theksoj se KFOR-i vazhdon të respektojë mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke ruajtur një qëndrim të paanshëm në veprimet e tij,” shtoi ai gjatë ngjarjes së titulluar “Koncepti i neutralitetit ushtarak dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe NATO-s.”

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Departamentit të Shtetit, kanë aprovuar një paketë të shitjes me vlerë 75 milionë dollarë për Kosovën – e cila përfshin raketa ‘Javelin’ dhe pajisje të tjera të trajnimit dhe asistencës teknike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më parë ka bërë të ditur qëndrimin e Aleancës në lidhje me Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke thënë se nuk ka ndonjë veprim të NATO-s për armatimin e Kosovës.

Romano foli gjithashtu për marrëdhëniet në rritje ndërmjet Serbisë dhe NATO-s, duke vlerësuar Serbinë si një partner të respektuar dhe që marrëdhëniet janë më të ngushta se sa mund të duken./Telegrafi/