LAJMI I FUNDIT:

Rohde: Gjermania do ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e një parku solar

Rohde: Gjermania do ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e një parku solar
Foto: Arkiv

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka premtuar se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën për arritjen e sigurisë energjetike.

Ai përmes një postimi në twitter ka thënë se Kosova duhet të përdorë potencialin e saj për energji të ripërtëritshme.


“Kosova duhet të përdorë potencialin për energji të ripërtritshme. Kjo do të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe arritjen e sigurisë energjetike. Gjermania do ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e një parku solar 100 MW. Nuk është thëngjilli, por era dhe dielli duhet të jenë e ardhmja e Kosovës”, ka shkruar Rohde në Tëitter.

Edhe ministrja e Shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Lührmann e cila qëndroi në Kosovë të shtunën për mes një postimi në twitter ka thënë se Kosova duhet të promovojë energjinë diellore para asaj e bazuar në thëngjill.

“Gjermania promovon ndërtimin e një termocentrali diellor në Kosovë në fushën e një termocentrali me qymyr. Ky është një kontribut i rëndësishëm për mbrojtjen e klimës dhe një model për një transformim të suksesshëm të gjelbër”.

Në takimin që kryeministri Kurti pati me Lührmann, folën për bashkëpunimin me Gjermaninë në kuadër të agjendës së Republikës së Kosovës për integrim evropian, për Tregun e Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës.

Ata folën edhe për energjinë si çështje me shqetësim për të gjithë kontinentin e Evropës. Krahas planeve afatgjate për tranzicionin e drejt energjetik dhe investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike, kryeministri Kurti vendosi theksin te rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji të dakorduar në Bruksel, ndaj të cilit Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet që u kanë takuar, dhe ballafaqimin me këtë dimër.​/Telegrafi/