LAJMI I FUNDIT:

Ritestim për shoferët të cilët përsërisin kundërvajtjet në trafik

Ritestim për shoferët të cilët përsërisin kundërvajtjet në trafik

Ministria e Infrastrukturës njofton se do të ketë ritestim për të gjithë ata shoferë që përsërisin në vazhdimësi kundërvajtjet në trafik.

Sipas MI-së, aktualisht ky diskutim është në fazën kur po bëhet krahasimi i legjislacionit vendor me atë të BE-së.


“Kosova si një vend që ka aspirata për t’u integruar në familjen evropiane duhet të përgatitet në këtë drejtim. Tani për tani mund të themi se jemi vetëm në fazën kur po bëhet krahasimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së, në fushën e patentë shoferit. Çdo ndryshim që mund të bëhet, në përshtatje të acquis communautaire, sigurojmë të gjithë qytetarët se nuk do të cenojnë të drejtat e tyre”, thuhet në njoftimin e MI-së, shkruan Telegrafi.

Ministria thotë se ky ndryshim do të ndikojë në krijim të besueshmërisë me të madhe të patentë shoferit në Kosovë.

“Ritestimi i njohurive të rregullave të komunikacionit rrugor do të bëhet për të gjithë shoferët të cilët përsërisin në vazhdimësi kundërvajtjet në trafik dhe për të cilët masat tjera si gjobat, tërheqja e pikëve negative dhe pezullimi i përkohshëm i patentë shoferit nuk kanë dhënë efekt. Prandaj ritheksojmë se këtij testimi do t’i nënshtrohen vetëm shkelësit e shumëfishtë të ligjit dhe rregullave të komunikacionit rrugor. Konsiderojmë se ky ndryshim, përveç rritjes së sigurisë në komunikacion, do të ndikojë në krijim të besueshmërisë me të madhe të patentë shoferit të Republikës së Kosovës, në vendet e Evropës dhe më gjerë”, vijon njoftimi.

Aktualisht ky proces është vetëm në fazën e diskutimit dhe qytetarët do të njoftohen më kohë për vendosjen e zbatimin e kësaj rregulle. /Telegrafi/