Rilindja Gjelbër: Zjarri në deponinë e Sferkës, qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e neglizhencës institucionale

Organizata Rilindja Gjelbër ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, duke e cilësuar atë si një krizë mjedisore, shëndetësore dhe institucionale, ndërsa ka kërkuar reagim të koordinuar nga institucionet përgjegjëse.
Në një komunikatë për media, organizata shprehet se banorët e zonës dhe qytetarët e Pejës kanë qenë të ekspozuar për më shumë se një javë ndaj tymit dhe ndotjes së ajrit.
"Kjo situatë nuk mund të trajtohet më si një problem i izoluar operacional, pasi është shndërruar në krizë mjedisore, shëndetësore dhe institucionale, pasojat e së cilës po i bartin qytetarët", thuhet në reagim.
Rilindja Gjelbër ka rikujtuar zhvillimet e ditëve të fundit, duke përmendur kallëzimin penal të dorëzuar për rastin, protestën e banorëve, rastin e një protestuesi që kërkoi trajtim mjekësor pas dyshimeve për intoksikim, angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe paralajmërimet e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës për rrezikun që paraqet moslargimi i mbeturinave.
Organizata ka kritikuar mungesën e reagimeve zyrtare nga disa institucione shtetërore.
"Deri më tani nuk kemi reagim zyrtar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për gjendjen e cilësisë së ajrit dhe ujërave që rrjedhin nga deponia dhe djegia e mbeturinave, si dhe ndikimin në biodiversitet. Nuk ka reagim as nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës për ndikimin e mundshëm të këtij krimi mjedisor në shëndetin publik", thuhet në komunikatë.
Po ashtu, sipas organizatës, mungon reagimi edhe nga Ministria e Bujqësisë lidhur me ndikimin e mundshëm në kulturat bujqësore dhe shëndetin e kafshëve.
Në reagim theksohet se përgjegjësia për menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e qytetarëve është e përcaktuar me ligj dhe nuk mund të bartet te qytetarët.
"Përgjegjësia ligjore nuk mund të bartet te qytetari", thekson organizata, duke iu referuar dispozitave të Ligjit për Mbeturina dhe Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.
Rilindja Gjelbër u ka bërë thirrje Komunës së Pejës, ministrive përkatëse dhe institucioneve të tjera relevante që të bashkërendojnë veprimet për shuarjen e plotë të zjarrit, monitorimin e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujërave, ofrimin e kontrolleve shëndetësore për banorët, sigurimin e një zgjidhjeje të përkohshme për menaxhimin e mbeturinave, zhvillimin e një hetimi të plotë për shkaqet e zjarrit dhe hartimin e një plani për rehabilitimin e deponisë.
"Qytetari nuk mund të mbahet peng i mungesës së koordinimit institucional dhe papërgjegjësisë institucionale. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe mjedisit duhet të jetë prioriteti i parë dhe i përbashkët i çdo niveli të pushtetit", përfundon komunikata e Rilindjes Gjelbër. /Telegrafi/



































