LAJMI I FUNDIT:

Rikthimi i komedisë së suksesshme

Rikthimi i komedisë së suksesshme
]John Byrne në shtëpinë e tij në Ediburg (foto e vitit 2014 e bërë nga Jon Savage/Alamy)

Hiti teatror i viteve 1970, rikthehet në skenën e Edinburgut. Pjesë të shkrimit të gazetarit të ditores “Guardian”, Mark Fisher, Telegrafi sjell më poshtë.

Nëse gjatë festivalit të vitit 1977 ke qenë në Edinburg, atëherë ishin dy shfaqje që nuk ke mundur t’i humbasësh. Njëra ishte shfaqje e estradës, “Përtej shakës”, ku ndër të tjera luante aktori atëherë i panjohur i quajtur Rowan Atkinson. E tjetra që jepej në studio e vjetra televizive të Caltonit, ishte shfaqje për tre aktorë e quajtur “Ngërçi i shkrimtarit”. Kjo e dyta, një komedi e “çmendur” e dramaturgut që jepte premierën e tij të parë, John Byrne, ishte hit që përhapej me fjalë, diçka që ndodhë veç me shfaqjet jokonvencionale. Hapësira e vogël ishte aq e mbushur saqë kritiku Michael Coveney u desh të struket nën një karrige të zënë nga nëna e mikut të tij, aktorit Bill Paterson. Një natë tjetër, publikut iu kërkua të ngushtohej në mënyrë që aktori Sean Connery të ulej pranë mikut të tij Billy Connolly. E gjitha kjo, siç kujton Byrne, për një çmim bilete për vetëm 50 peni.


“Kur shkruaj, nëse nuk qesh nga brenda apo nga jashtë, fleta hidhet “, thotë 81-vjeçari, i cili rikthehet me shfaqjen “Bërryli i teniseres”. “Vazhdoj kështu derisa nuk rrëzohem për toke nga të qeshurat”!

I shfaqur para mokumentarit të viteve 1980, “Spinal Tap”, “Ngërçi i shkrimtarit” e prezanton Rrethin e Shkrimtarëve të Nitshillit që nderon mentorin Francis Seneca McDade. Pavarësisht entuziazmit të anëtarëve, McDade është një mediokër që ka dështuar në të gjitha artet. Me sfond nga shkolla publike, ai ka kaluar nga poezia në pikturë, nga gazetaria në letërsi, duke mos mësuar asgjë nga dështimet. Ai përherë është trokë.

Shfaqja ishte parodi ndaj vlerave të larta kulturore të BBC-së dhe establishmentit të atëhershëm borgjez. “John ishte në një linjë me zeitgeistët”, thotë Paterson, i cili luajti McDaden. “Të gjitha referencat për skocizmat ishin në kujtesën e audiencës. Rock’n’roll, lëvizjet e viteve 1950… gjithçka ishte marinuar në ato referenca kulturore”.

Byrne i njihte aktorët nga përvoja e tij si skenograf. Ai ia dorëzoi Patersonit draftin e parë të shfaqjes atëherë të quajtur “Kërrusja letrare”, që më vonë u inskenua për radio nga Marilyn Imrie. Ky version gjysmë-orësh e frymëzoi autorin ta përpunojë tekstin për një shfaqje me tre aktorë.

“Që të tre e dinim që ishte e jashtëzakonshme”, thotë Alex Norton, që luajti në shfaqje. “Ishte gjëja më kreative ku kam punuar ndonjëherë. E kemi luajtur drejtpërdrejt. Ky ishte një tribut, një homazh për McDaden dhe, natyrisht, shakaja është se ai ishte i tmerrshëm. Loja e drejtpërdrejt funksionoi”. Narratori John Bett pajtohet: “Ishim pothuajse të ofenduar kur ata qeshnin dhe ishim të befasuar kur ata e trajtonin heroin tonë në mënyrë të tillë”.

“Si Rreth i Shkrimtarëve të Nitshillit, e prezantonim punën e një gjeniu”, thotë Paterson, i cili bisedoi me “Zoom” pranë një stacioni hekurudhor në Nitshill. Ai gjithashtu e ka një kopje të programit, i cili kinse ishte buletini i Rrethit. E lexon me zë: “Shfaqja e bazuar në jetën e McDaded ka hasur në disa vështirësi gjatë provave. Sipas burimeve të sigurta, aktorët që morën pjesë janë dëbuar nga salla e provave për në klinikë… E ke marrë atë program para se shfaqja të niste. Prandaj, njerëzit binin në gjunjë që në fillim.

Shfaqja u bart në teatrin “Bush” të Londrës e pastaj në teatrin “Hampstead”. E kënaqi publikun në Dublin dhe i hutoi ata në Holandë. “Një natë në Amsterdam, ata nuk u kthyen pas pauzës”, qesh Bett. “Kjo në një mënyrë na çoi në Brexit”, shton Paterson.

Tashti Byrne e ka ripunuar shfaqjen si “Bërryli i teniseres”, për teatrin “Lyceum” të Edinburgut, në një version për gra ku flitet për aktoren e dështuar Pamela Crichton-Capers. “Gjithmonë kam dashur të merrem me anët femërore dhe zgjodha një sëmundje tjetër për titullin”, thotë dramaturgu.

Rolin e Bettit si narrator e ka Maureen Beattie që përsërit sfidën e një teksti që Byrne përshkruan si “një të tetën që e dëgjoni dhe shtatë të tetat që është gravuar”.

“Hipni në një dërrasë surfingu dhe gjuha ju merr me vete”, thotë Beattie. “Për shkak se Johni është shumështresor, keni nevojë për forcë fizike për t’i çuar mendimet që nga fillimi i fjalisë e deri në fund. Është diçka e pazakontë me të cilën nuk jam marrë më parë”. /Telegrafi/