LAJMI I FUNDIT:

Rikthehen gjeneratorët, qytetarët ankohen për reduktimet e energjisë elektrike

Rikthehen gjeneratorët, qytetarët ankohen për reduktimet e energjisë elektrike

Nga e hëna Kompania kosovare për Distribuimin me Energjinë Elektrike (KEDS) ka filluar të zbatojë një urdhëresë nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), që të reduktojë kufizimet e energjisë elektrike.

Në lidhje me këtë vendim, Telegrafi ka marrë mendimet e qytetarëve.


Qytetari, Hajdar Pasha tha se Kosova nuk ka punuar e s’ka investuar në ekonomi, sidomos në energjinë elektrike.

“S’kam koment, s’ka rrymë, s’kanë investu. Krejt marrin qymyr prej nesh, ne s’bëjmë termocentrale. Maqedonasit marrin thëngjill prej nesh, e prodhojnë rrymë me thëngjillin tonë, e tash na duhet t’i lusim ata a po na shisni rrymë a jo. Është një strategji shumë e gabuar, duhet të investojmë në ekonomi, sidomos në energji. Gjithë kjo krizë energjetike… Bateritë shumë mirë që janë bërë, por duhet të kesh rrymë. Kur s’ke rrymë, çka donë me shti në bateria”, ka thënë Pasha.

Edhe Ramadan Mustafa tha se meqë ka reduktime të rrymës, si pensionistë që është duhet ta shikojë mundësinë për të blerë dru, edhe pse siç tha ai “Duhet ta zvogëloj standardin e jetës”.

“Tash duhet me ble dru. Me u nxe me pelet është shtrenjtua shumë. Rryma nuk është e sigurt, drutë janë shtrenjtua shumë. Merre me mend cfarë situate. Si pensionist që jam duhet të zvogëloj standardin, më pak të nxehem”, u shpreh Mustafa.

Ndërsa, Besim Elshani dekalroi se qytetarët duhet të kursejnë energji elektrike.

“Koha e vështirë, në ditë të vështirë. Duhet me u gjet me resurset tona që i kemi. Duhet me i shfrytëzu. Duhet të kursejnë qytetarët, të bëhet më të përgjegjshëm”, u shpreh ai.

E qytetarja, Sofije Gashi theksoi se KEDS duhet të marr masa që qytetarët të mos kenë reduktime të energjisë elektrike, pasi siç tha ajo janë pagues të rregullt të energjisë.

“S’kemi çka me bo, rrimë pa rrymë. Duhet të marrin masa. Ne dhe ashtu po e paguajmë”, ka thënë qytetarja, Sofije Gashi.

Ndryshe, nga sot vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor si dhe do të ketë reduktime të energjisë elektrike.

Sipas KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare që të nominojnë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.

Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mos mbulimit të kostos së sistemit.

Tutje kanë thënë se kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime.

“Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi.

Siç theksohet në komunikatë, energjia elektrike e blerë deri tani ka shkaktuar humbje enorme si për KEDS-in, ashtu edhe për KESCO-n”, thuhej në njoftimin e tyre.

Sipas KEDS, gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, rregullatori kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh, por asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë tek furnizuesi.

“Kjo, e ka rënduar gjendjen edhe më tepër. Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shterruar. Të dy kompanitë vitin e fundit e kanë mbyllur vitin me humbje të mëdha financiare, njëra 27.8 milionë euro, e tjetra 18.5 milionë euro, në një total që shkon në mbi 46 milionë euro humbje”.

“Dy kompanitë, pra KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë. Kërkohet me urgjencë edhe veprimi i aktërëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë krizë”, thuhet në njoftimin e KEDS. /Telegrafi/