LAJMI I FUNDIT:

Rifat Latifi përmes “diplomacisë mjekësore” kërkon njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Amerikës Latine

Rifat Latifi përmes “diplomacisë mjekësore” kërkon njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Amerikës Latine

Në kuadër të aktiviteteve të tij në Amerikën Latine, kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka vizituar shtetin e Bolivisë, përkatësisht kryeqytetin Sucre, ku u takua me kryetarin e Shoqatës së Kirurgëve të Bolivisë, Dr. Gregorio Valda.

Në këtë takim të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të nënshkruajnë një marrëveshje të bashkëpunimit mes këtyre dy organizatave të mëdha të kirurgëve. Ditën e fundit në Bolivi, Dr. Latifi e kaloi në Santa Kruz, ku u takua me kirurgët tjerë dhe më Drejtorin e Klinikës së famshme “Foianini”, Prof. Dr. Esteban Foianini, me traditë të gjatë familjare.


Ai ka lindur dhe është edukuar në SHBA, si dhe ka shërbyer në Kosovë me forcat Amerikane menjëherë pas luftës së Kosovës, ku ka mjekuar shumë qytetarë të Kosovës në kampin Bondstil, Gjilan, dhe në Mitrovicë.

Nga ky takim bashkëbiseduesit u dakorduan se Dr. Foianini dhe shumë kirurgë tjerë nga Amerika Latine do të marrin pjesë në Kongresin e Katërt të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në vjeshtën e vitit 2024. Për Dr. Rifat Latifin diplomacia mjekësore e nivelit të lartë ka qenë vazhdimisht mision i tij, që me kohë pritet t’i japë frytet e veta, dhe njëkohësisht edhe në avancimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, thuhet në njoftimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

“Vetëm përmes marrëdhënieve solide ndërkombëtare ne mund të avancohemi dhe bota mund të na njohë si komb, shtet, si kirurgë dhe shkencëtarë. Por, në mënyrë që bota të mësojë më shumë për neve, të mësojë çfarë po bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë, ne duhet të shfaqemi në “arenwn shkencore botwrore”, theksoi Dr. Latifi, duke shtuar se “ne nuk duhet t’i frikësohemi konkurrencës shkencore dhe kirurgjike, e as asaj mjekësore në përgjithësi, dhe për të qenë në gjendje të konkurrojmë, ne duhet të jemi shumë të përgatitur, të ditur, të hapur dhe punojmë 26 orë në ditë”.

Dr. Rifat Latifi ka ligjëruar në Universitetin e Buenso Aires – kujton arbëreshin, Albanese

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka vizituar Universitetin e Buenos Aires, me ç’rast ka mbajtur një ligjëratë në këtë Universitet me temë “Menaxhimi dhe Rekonstruktimi i Defekteve të Mëdha e Komplekse të Abdomenit”.

Kjo ligjëratë e Dr. Latifit është realizuar me ftesë të Departamentit të Kirurgjisë së Universitetit të Buenos Aires, në Argjentinë, me përfaqësues Prof. Dr. Alberto Ferreres, njëherit, Profesor dhe Drejtor i Departamentit të Hulumtime Shkencorë, njëri nga kirurgët më të njohur në botë, dhe Anëtar Nderi Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Në ligjëratën e tij me temë “Menaxhimi dhe Rekonstruktimi i Defekteve të Mëdha e Komplekse të Abdomenit”, Prof. Dr. Latifi përmendi studimet fillestare te botuara në vitin 1951, dhe kontributin e madh të Profesorit të Kirurgjisë dhe të Anatomisë së këtij Universiteti, arbëreshit, Dr. Alfonnso Albanese, në fushën e ri-ndërtimit të murit abdominal për të cilën temë, Dr. Latifi njihet si një nga ekspertët botëror.

Interesim shumë i madh për këtë ligjëratë është vërejtur jo vetëm nga kirurgët, specialistët, por edhe nga specializantët dhe studentët e fakultetit të Mjekësisë në Buenos Aires, e ku njëkohësisht bëhet e ditur se është pritur jashtëzakonisht shumë mirë.

Në fund të ligjëratës, Prof. Dr. Alberto Ferreres dhe kryeshefi i Departamentit të Kirurgjisë së këtij spitali Universitar, e nderuan Prof. Dr. Latifin, me Anëtar Nderi të Departamentit të Kirurgjisë së Spitalit të Universitetit të Buenos Aires, në Argjentinë. Pas ligjëratës, Dr. Latifi vizitoi Departamentin e Anatomisë, ku Prof. Dr. Albanese ka udhëhequr për shumë dekada, dhe ka vërejtur përkushtimin që jo vetëm studentët, por edhe stafi ia kanë kushtuar Prof. Albanese.

Dihet se familja e tij ka ardhur në Argjentinë në vitin 1906, ndërsa njihet edhe ndër kirurgët e parë të zemrës dhe arterieve. Duhet theksuar se Prof. Dr. Latifi që nga prilli i viti 2022, kur ishte Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, është Anëtar Nderi i Akademisë së Kirurgëve të Argjentinës, e krijuar në vitin 1911. Së shpejti Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Shoqata e Kirurgëve të Argjentinës do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, sikurse edhe me të gjitha vendet tjera që Prof. Dr. Rifat Latifi i ka vizituar këto ditë në Amerikën Latine.

Në fund të vizitës së tij, në Buenos Aires, ai u prit edhe nga Fondacioni i Traumës dhe drejtori, Prof. Dr. Jorge Neira, njëherit Anëtar i Akademisë së Shkencave të Argjentinës, i cili e lansoi në skenën botërore konceptin se trauma është sëmundje preventive, të cilën e nënshkruan 47 Akademi të Shkencave të Botës.

Këtu ai u njoftua më ecurinë e këtij Fondacioni të famshëm, i cili po e shtrinë regjistrin elektronik të traumës në 24 provincat e Argjentinës, por edhe u diskutua për konceptin e qëndrueshëm, duke përmendur strategjinë e International Virtual e-Hospital Foundation, që ka krijuar shumë programe të Telemjekësisë në botë, duke filluar me Kosovën, përderisa tani po e ndihmon Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Dr. Latifi e ftoi Prof. dr. Neira të vizitojë Kosovën vitin e ardhshëm, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi. /Telegrafi/