LAJMI I FUNDIT:

Riatdhesimi i eshtrave të patriotëve

Riatdhesimi i eshtrave të patriotëve
Jahja Lluka

Me qëllim të sjelljes së eshtrave të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës e Enver Hadrit, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur më autorizoi të bisedohet me familjarët e tyre dhe të merret pëlqimi, brenda mundësive me shkrim. Kjo për arsyen se ka pasur shumë përpjekje që kjo punë të kryhet nga shumë individë, organizata e iniciativa qytetare.

Projektin për kthimin e eshtrave të patriotëve e kisha përgatitur mirë. Projekti parashikonte që organizimit të kthimit të eshtrave nga diaspora t’i kushtohet vëmendje e posaçme, me një projekt të përbashkët në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë ku do të ndërtohej një lapidar të cilin këta dëshmorë të kombit me siguri e meritojnë. Për këtë arsye harxhova kohë dhe mund për të shpjeguar qëllimin; për të shpjeguar projektin, por edhe për ta bërë financimin për realizimin e këtij projekti.

Me siguri se në Kosovë kthimin e eshtrave të patriotëve ka pasur mundësi ta financojë edhe një individ i vetëm, mirëpo ideja ka qenë që të hapet një xhirollogari publike dhe të ftohen të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që ta ndihmojnë ngritjen e këtij lapidari. Po e them, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, për një arsyen e thjeshtë se populli shqiptar i ka shumë borxh Jusufit, Bardhoshit, Kadriut, Enverit, por edhe dëshmorëve të tjerë.

Përgatitëm projektin, ndërmorëm iniciativën, filluam të bisedojmë me familjarët. Me familjen e Kadri Zekës shpejt u pajtuam dhe morëm autorizimin për këtë projekt. U jam mirënjohës për besimin që ma dhanë mua dhe Shoqatës.

Në familjen e Jusufit dhe të Bardhoshit nuk shkoi edhe aq lehtë kjo punë. Me familjen Gërvalla bisedova disa herë. Kishte rezerva, dyshime, kryesisht nga Syzana. Por, shpjegova kush jemi, për çfarë arsye kemi marrë këtë iniciativë dhe çka mendojmë të arrijmë me këtë. Nënë Ajshja më kërkoi falje e më tha se Suzana nuk më njeh. Dua të them se nëna e madhe Ajshe, rrallëherë mund ta ketë lënë ndonjë tubim të Shoqatës ku është biseduar për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova. Me të vërtetë ishte një nënë e madhe, e gatshme ta japë kontributin e vet edhe në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve.

Nënë Ajshja në një moment më tha: “Jahja, mos më keqkupto, por dëshira ime është që Jusufin dhe Bardhoshin t’i varrosja këtu, afër dritareve të shtëpisë sime”. E kuptova mirë, por edhe i tregova se Jusufi dhe Bardhoshi nuk janë vetëm djemtë e saj, por të gjithë Kosovës. Ata janë djemtë e gjithë shqiptarëve, kudo ku janë. “Sa më përket mua, mund të vendosësh ashtu siç është më së miri”, më tha ajo. Mirëpo, Syzana kishte projekt tjetër, që kthimin e eshtrave të Jusufit dhe të Bardhoshit do ta organizojë familja dhe do ta financojë familja.

Pata takime të shpeshta edhe me bacën Hysen. Takime, biseda telefonike, për ta bindur që të më jap pëlqimin për këtë projekt, i cili pikë së pari ishte në interes të çështjes kombëtare, të mos ndarjes së Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës dhe ngritjes së një lapidari. Fatkeqësisht, edhe baca Hysen kishte ide tjetër, që për kthimin e eshtrave të Jusufit dhe të Bardhoshit të vendosë Parlamenti i Kosovës dhe që kthimin e eshtrave nga diaspora ta bëjë Parlamenti, d.m.th. institucionet e Kosovës. Në anën tjetër, isha i shqetësuar dhe i sigurt se institucionet e Kosovës nuk do të merren me këtë punë, megjithëse, mendoj edhe sot, Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Enveri e kanë merituar që edhe institucionet e Kosovës, në mënyrën më të lartë shtetërore, ta bëjnë një organizim të tillë. Duke i ditur rrethanat, isha skeptik se kjo do të ndodhë. Një ide tjetër e bacit Hysen ishte që eshtrat do të kthehen në ditën e flamurit, më 28 nëntor, dhe jo më 17 janar se është dimër dhe shumë mërgimtarë nuk mund të vijnë. Për mua kjo nuk ishte diskutabile. Fatkeqësisht, nuk arritëm ndonjë marrëveshje me bacin Hysen e as me Syzanën, por unë nuk hoqa dorë, duke menduar se familja Gërvalla do ta analizojë propozimin e Shoqatës dhe, eventualisht, do të vendosë që projekti të realizohet. Gjithashtu, propozova edhe një mundësi tjetër që Këshilli Organizativ të jetë në krye me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe kryetarin e Parlamentit të Kosovës. Në Këshill Organizativ të jenë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike, që veprojnë në Kosovë.

Unë e vazhdova punën me familjen e Enver Hadrit. Njësoj, edhe familja e Enverit i kishte kërkesat e veta. Biseduam gjatë, i shqyrtuam mundësitë, por fatkeqësisht me gjithë pëlqimin gojor, ma tepër nuk mundëm të marrim nga familja e Enverit.

Tani lirisht mund të them se, pas kthimit të eshtrave të Jusufit e të Bardhoshit dhe rivarrimit të tyre në Dubovikë dhe të Kadri Zekës ne Gjilan, së pari isha i thyer shpirtërisht për mosrealizimin e idesë; së dyti, isha i thyer për shkak të ndarjes së shokëve të idealit; dhe, së treti, që të gjitha iniciativat për kthimin e eshtrave të Enver Hadrit nuk u realizuan deri sot. Me siguri se me një projekt të mirëfilltë të varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, puna dhe vepra e patriotëve tanë do të ishte më e avancuar për shumë vizita të qytetarëve, të nxënësve nga Kosova dhe më larg. Unë nuk mund të pajtohem me këtë se çka është bërë, jo pse unë kisha ide tjetër, por pse mendoj se Jusufi, Bardhoshi, Kadriu dhe Enveri meritojnë të jenë në një piedestal më të lartë, si dëshmorët e kombit që i dhanë shumë shqiptarisë.