LAJMI I FUNDIT:

Rezultati i zgjedhjeve dhe humbja në Shkodër, Berisha flet për herë të parë: Shqiptarët votuan nën presion

Rezultati i zgjedhjeve dhe humbja në Shkodër, Berisha flet për herë të parë: Shqiptarët votuan nën presion

Ish-kryeministri dhe drejtuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha komentoi për herë të parë rezultatin e zgjedhjeve vendore dhe disfatën në Shkodër, ku opozita humbi si asnjëherë gjatë 32 viteve të fundit.

Berisha tha se në Shkodër janë hedhur dhjetëra milionë euro, si dhe qytetarët votuan nën rrethimin e bandave të lidhura me qeverinë.


Pyetjes së gazetarëve nëse do të japë dorëheqjen, Berisha zgjodhi t’i përgjigjej duke thënë se kurrë “ai nuk dorëzohet përpara krimit”.

“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha pollet e kundërshtarëve tani, por dhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14 ose 16 pikë përpara. Nëse t’i, apo ndonjë tjetër mendon se Sali Berisha tërhiqet përpara krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Kurrë, unë nuk tërhiqem përpara bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar ku u votua nën rrethim nga banditët e Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën dhjetëra milionë euro. Jam i bindur se qytetarët e Shkodrës nuk do ta pranojnë pushtetin e krimit”, tha Berisha.

Berisha në fjalën e tij theksoi se raporti i OSBE-ODHIR evidetoi problematikat që sipas tij tjetërsuan rezultatin.

Berisha tha se blerja e votës, presionet e administratës dhe makinerisë elektorale, bënë që qytetarët të mos votonin të lirë.

“Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE-ODHIR, të autoriteteve lokale dhe rajonale, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese e antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e vendimit”, tha Berisha.

“Raporti paraprak ndonëse është paraprak vë gishtin nga problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor. Si një akt që krijon pabarazi. Ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes. Nënvizon blerjen masive të votës, deri dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit. Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar nga vëzhguesit më prestigjoz në Evropë, OSBE-ODHIR, dështuan”, tha Berisha. /Telegrafi/