LAJMI I FUNDIT:

Rexhepi: Komunitetet jo-shumicë nuk e kanë përkrahjen e MBPZHR-së, i reagon ashpër Peci

Rexhepi: Komunitetet jo-shumicë nuk e kanë përkrahjen e MBPZHR-së, i reagon ashpër Peci

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka deklaruar se komunitetet jo-shumicë nuk kanë përkrahje nga Ministria e Bujqësisë. Për këtë ka reaguar ministri Faton Peci duke e mohuar një gjë të tillë, për çka edhe ka thënë se pikërisht të njëjtit kanë përfituar më shumë nga grantet. Madje, Peci ka thënë se Rexhepi po tenton ta shndërrojë atë në ish-ministrin Nenad Rikallo për çka Rexhepi ia ka tërhequr vërejtjen duke e kërcënuar me padi.

Ky diskutim është bërë në mbledhjen e Qeverisë, gjatë shqyrtimit të propozim vendimit për dhënien e autorizimit nga presidentja për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe GIZ-it.


“Të gjithë këto vite nuk kemi kurrfarë përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë në fushën e përkrahjes të fermerëve që vijnë nga komunitetet jo-shumicë. Pikërisht për ato kritere, ajo është praktikë më shumë se 20 vjet dhe shpresoj që ministri të ketë parasysh këtë dhe ne kur të jemi pjesë e kësaj qeverie, kërkohet thellësisht nga ne këto reforma të bëhen në Ministrinë e Bujqësisë sepse kishin shkuar në favor të bujqve tonë”, ka thënë Rexhepi.

Peci ka thënë se në këtë projekt nuk do të ketë kurrfarë përjashtimi për komunitetet.

“Është krejt e pavërtetë ajo çfarë thotë zëvendëskryeministrja Rexhepi, kur thotë se komunitetet nuk kanë përfituar. Përkundrazi, kanë përfituar mjaft. Mjafton që të shkosh në Mamushë edhe komuna në Programin e Granteve të vitit 2022 ka fituar rreth 3 milionë euro përkrahje. Ndërsa, ato kërkesa që ti në vazhdimësi i ke që unë të shndërrohem në një ministër sikur ka qenë Rikallo, ato nuk mund të jetësohen”, është përgjigjur Peci.

Më tej, Rexhepi ka kërkuar nga ministri Peci që të jetë i kujdesshëm, duke i thënë se “mund të përfundoni në gjykatë”.

“I nderuar zotëri Peci ju lutem të jeni të kujdesshëm, mund të përfundoni në gjykatë. Të gjithë këto vite, duke filluar nga 2009 në mënyrë konstante në parlamentin tonë të gjithë ne të cilët jemi pranë komuniteteve kemi kritikuar të gjithë ministrat që paraqesin Ministrinë e Bujqësisë. Jo personalisht, por mendojmë që anëtarët e pakicës kanë të drejtë në buxhetin e shtetit të vet dhe atë kontekst ne të gjithë këto vite kemi apeluar në të gjitha qeveritë që të zbusin këto kritere për dhënien e projekteve për komunitetet jo-shumicë”, ka thënë ajo.

Ministri i Bujqësisë ka thënë se nuk lejon që të përfitojë dikush mbi bazën e përkatësisë etnike.

“Unë në asnjë mënyrë si ministër nuk lejoj që dikush të jetë përfitues mbi bazën e përkatësisë etnike që e kanë. Gjitha etnitë e Kosovës, do t’i nënshtrohen të gjitha rregullave ose formave të njëjta. Sa i përket pjesës së kërcënimit në gjykatë, atë mund ta bësh dhe nuk e kam asnjë problem, nuk e kam frikën për asgjë ”, është shprehur Peci. /KP/