LAJMI I FUNDIT:

Retorikë e njëjtë

Para ca kohësh, në emisionin Rubikon patëm rast të shohim dhe të njoftohemi me të rinjtë e politikës, apo thënë ndryshe: me politikanët e ardhshëm. Në fillim të emisionit, secili prej tyre tregoi se si dhe pse i mësyu politikes, këtij labirinti të pafund.

Gjatë debatit u zhgënjeva, sepse gjithçka që dëgjova ishte thjeshtë përpjekje e secilit prej tyre që të përshkruaj hierarkinë, demokracinë dhe rregullimin e brendshëm partiak duke folur në superlativ për lirinë e veprimit që iu është ofruar në ambientet e partisë. Për një çast mendova se kishte qenë mirë që kjo liri veprimi dhe kjo shkallë e demokracisë që paskan partitë të reflektohet në shoqëri, t’u ofrohet liri e demokraci te gjithëve e jo vetëm anëtarëve të partisë.


Me vëmendje ndjeka debatin në të cilin zhvillohej një garë, se kush prej tyre është më i zoti të përdorë hiperbola për liri e demokraci në partitë tona, që jo rrallë krijoja bindje se këto parti nuk janë në Kosovë. Pastaj pati edhe momente konfrontimi dhe akuza mes protagonistëve, përveç zonjushës e cila qëndronte e distancuar. I gjithë debati u soll rreth këtyre gjërave dhe asnjëri nuk paraqiti ide apo strategji se si të zgjidhen problemet shtetërore e në veçanti ato rinore.

E gjitha që thanë sa i përket problemeve, ishte fakti se nuk e mohonin që ekzistojnë ato. Të nderuar bashkëmoshatarë, politikanë të rinj, te gjithë ne që jetojmë në Kosovë e dimë se ka probleme dhe cilat janë ato; i njohim të gjitha partitë, e mbase ka prej nesh që i njohim më mirë se ju që jeni pjesë e tyre. Ajo që nuk kam pritur në debat prej jush është retorika e njëjtë me politikanët aktualë.

Keni qenë studentë e disa ishit akoma. Nuk është e rrugës tu tregohet studentëve se kanë probleme, sepse kjo paraqet ofendim për ta, pasi që në situatën që jemi nuk kërkohet inteligjencë e madhe për të kuptuar se a kemi probleme a jo. Ju do të duhej të na tregonit mënyrën se si do t’i zgjidhni këto çështje, çfarë do të bëni, si do të veproni. Ndërkaq, ajo që ju zgjodhët për të folur ishte njoftimi i publikut me partitë.

Nga zgjedhja juaj mund të konkludojmë se ose nuk keni vizion për çështjet rinore ose “demokracia partiake” u dha lirinë e veprimit që të flisni çfarë të doni, me kusht që të tregonit medoemos se si trajtohen ata që bëhen pjesë e tyre.

Të nderuar politikanë te rinj, shpresoj se do të ndiqni rrugën e arsyes dhe të mirës për të gjithë, të luftoni në frontin e ndërtimit të vlerave njerëzore e demokratike të popullit në përgjithësi. Ose, mund të ndiqni rrugën e antivlerave.

Por, ta keni parasysh: një ditë do të bien kambanat për të gjithë.