LAJMI I FUNDIT:

REPUBLIKË, GRIMCA IME E DASHUR

REPUBLIKË, GRIMCA IME E DASHUR

Poezi nga: Dije Demiri Frangu

Republikë, grimca ime e dashur
të lutem mos ua jep sytë atyre
se më humbet bota
hiqu përgdheljeve, vrragë do bëhesh
ti vetëm thembrës sime besoj
Republikë
Grimca ime e dashur
si gotë vere bixhozxhinjtë të të thyejnë
mos lejo
gjinjtë mos ua jep kopilave
se t’i këpusin e vdesin fëmijët për një pikë qumësht
shiko Rozafa sa nënë e mirë nga guri qumshtin ende nxjerr
për hir të ujqërve të stepës Republikë,
që me maje gjuhe sytë t’i kanë pështyrë
mos u bë tjetër
të lutem mos… mos Republikë
unë jam lodhur duke të kënduar.