Republika e Kosovës vendos marrëdhënie diplomatike me Ishujt Cook

Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në Komisionin e Lartë të Ishujve Cook në Velligton, kryeqytetin e Zelandës së Re.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se me qëllim të promovimit të miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën politike, ekonomike dhe kulturore, mbi bazën e barazisë, respektit të ndërsjellë për pavarësinë dhe sovranitetin, bazuar në principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, të bindur se krijimi i marrëdhënieve diplomatike është në interes të të dy vendeve, të dy shtetet vendosin të lidhin marrëdhënie diplomatike mes vete në ditën e nënshkrimit, pra më 18.05.2015.
Ambasadori Kiçmari pasi e ka falënderuar Komisionerin e Lartë Matapo ka theksuar se “ne jetojmë në dy pjesë të ndryshme të botës, por ndajmë vlera të përbashkëta të respektimit të ndërsjellë dhe dëshirës për paqe dhe prosperitet në botë”.
“Këto vlera na bashkojnë dhe me aktin e sotëm po fillojmë hapin e parë të bashkëpunimit mes nesh. Nga sot Ishujt Cook e kanë një mik në Evropën Juglindore: miku juaj është Republika e Kosovës. Në muajt që vijnë do të shohim mundësitë për të thelluar marrëdhëniet mes nesh në fushat me interes të ndërsjellë“.
Ndërsa komisioneri i Lartë i Ishujve Cook Tekaotiki Matapo, sipas nënshkrimin e kësaj marrëveshje e ka quajtur një moment të rëndësishëm në mes të dy vendeve. Marrëveshje kjo e cila sipas tij mund të thellohet me bashkëpunim në fusha me interes të dyanshëm.
Ai e ka njoftuar Ambasadorin Kiçmari se Ishujt Cook do të shënojnë 50-Vjetorin e themelimit këtë vit dhe e ka ftuar Ambasadorin Kiçmari që të marrë pjesë në Ceremoninë Solemne që do të mbahet me këtë rast në Avarua, kryeqytetin e Ishujve Cook.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ka marrë pjesë edhe Komisioneri i Lartë i Papua Guines së Re në Vellington Francis Agwi.







































